Sport

Nga F1 te CR7, Arabia Saudite po bëhet qendër e rëndësishme e sportit

“Kapja” befasuese e superyllit të futbollit, Cristiano Ronaldo, nga Al Nassr është e fundit në një varg blerjesh sportive të profilit të lartë nga Arabia Saudite e pasur me naftë. Monarkia konservatore e Gjirit, e kritikuar shpesh për shkak të historisë së saj për të drejtat të njeriut, po përpiqet të ndriçojë imazhin dhe të tërheqë interesin e huaj.

Më poshtë janë disa prej lëvizjeve që Arabinë Saudite e kanë shndërruar në një “lojtar të madh” në sport:

Sportet dimërore

Arabia Saudite, një vend kryesisht i shkretëtirës, ku temperaturat gjatë verës arrijnë 50 gradë Celsius, habiti të gjithë në muajin tetor kur u zgjodh të organizojë Lojërat Dimërore Aziatike 2029. Ngjarja, e cila tashmë ka ngjallur zemërimin e aktivistëve mjedisorë, do të mbahet në NEOM, një mega-qytet në ndërtim, prej 500 miliardë dollarësh, që po planifikon një kompleks sportiv dimëror të hapur gjatë gjithë vitit.

Pesë vjet më pas, kryeqyteti Riadi, do të organizojë Lojërat Aziatike 2034, një ngjarje shumësportive e stilit olimpik. Organizimi i Olimpiadës është “qëllimi përfundimtar” i Mbretërisë, tha ministri i Sporteve, Princi Abdulaziz bin Turki Al-Faisal, në muajin gusht.

Formula 1

Bota plot shkëlqim e Formula 1 u shfaq në Jeddah, qyteti i Detit të Kuq, që është një port për pelegrinët që shkojnë në Mekë, në vitin 2021 me një garë nate pranë vijës bregdetare. Është një nga katër garat e mëdha që do të mbahet në Gjirin e pasur këtë vit. Edicioni i vitit të kaluar u la në hije nga një sulm i rebelëve Huthi nga Jemeni, fqinji i shkatërruar nga lufta, që la objektet e naftës të nxirrnin tym të zi gjatë seancave stërvitore .

Futbolli

Në tetor të vitit 2021, shumë përpara sulmit për Ronaldon, një konsorcium i financuar nga Arabia Saudite përfundoi marrjen e klubit të Premier Leagues, Newcastle United, pas një konflikti të zgjatur me rregullatorët. Tifozët e “gjigantit të fjetur”, të cilët prej vitesh ishin në mosmarrëveshje me pronarin e mëparshëm, festuan duke veshur kostume arabe në stadiumin “St James Park”. Newcastle ka pasur një rritje të pasurisë dhe aktualisht është i treti në tabelë.

Ndërkohë, Arabia Saudite, e cila do të presë Kupën e Azisë 2027 dhe shpreson të mbajë edicionin e femrave në vitin 2026, ka zhvilluar bisedime me Egjiptin dhe Greqinë për një ofertë të përbashkët për Kupën e Botës, sipas zyrtarëve.

Boksi

Boksieri i kategorisë së rëndë, Anthony Joshua ka boksuar dy herë në Arabinë Saudite, duke marrë secilën herë pagë të majme. Britaniku Joshua ka heshtur kritikët që akuzonin vendin se po bënte shpëlarje parash nëpërmjet sportit. Joshua fitoi meçin e tij revanshues kundër Andy Ruizit të Amerikës në “King Abdullah Sports City” në dhjetor të vitit 2019, përpara se të kthehej në gusht të vitit të kaluar kur u mposht nga ukrainasi Oleksandr Usyk.

Golfi, kriketi, rally...

Paratë saudite kanë krijuar një përçarje në botën e golfit me financim të madh, duke joshur disa lojtarë me nam me çmime rekorde. Ish-numri 1 i botës, Dustin Johnson, ka qenë një nga përfituesit kryesorë, duke grumbulluar 35 milionë dollarë në sezonin inaugurues në Arabinë Saudite.

Vitin e kaluar “Saudi Aramco”, eksportuesi më i madh i naftës në botë, filloi një sponsorizim të ngjarjeve të mëdha të organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Kriketit, duke përfshirë Kupat e Botës njëditore për meshkuj dhe femra. Ndërkohë, gara “Rally Dakar”, që fillimisht u zhvillua midis Parisit dhe kryeqytetit senegalez, është mbajtur në Arabinë Saudite që nga viti 2020.