Pele – Mbreti i futbollit

Pele, mbreti brazilian i futbollit që fitoi tri Kupa të Botës e që është rekord, dhe që u bë një prej figurave më të ndritshme të botës së sportit në shekullin e fundit, ka vdekur të enjten në moshën 82-vjeçare.
Ikona e futbollit që u vlerësua si mbreti i “lojës së bukur” iu nënshtrua tretmanit kundër kancerit në zorrën e trashë që prej vitit 2021. Ai ishte në spital në muajin e fundit dhe vuante edhe nga disa sëmundje të tjera.
Menaxheri i tij, Joe Fraga, e ka konfirmuar vdekjen e Peles.
I vlerësuar nga shumë njohës të futbollit si një prej lojtarëve më të mirë në histori, Pele për afro dy dekada ka magjepsur tifozët me aftësitë e tij prej golashënuesi të jashtëzakonshëm, fillimisht me klubin e tij brazilian, Santos, dhe më pas me Përfaqësuesen e Brazilit.
Eleganca e tij, lëvizjet e shpejta dhe magjepsëse, kanë hutuar kundërshtarët dhe tifozët. Ai ishte orkestrues i një stili të shpejtë e të rrjedhshëm që bëri revolucion në sport – me dhuntinë e ngjashme të kërcimit “Samba”, me të cilin edhe njihej.
E udhëhoqi Brazilin në majat e futbollit dhe u bë ambasador global për sportin në një rrugëtim që nisi në rrugët e Sao Paulos, aty ku qëllonte një top të mbështjellë me gazeta apo lecka.
Në bisedat përreth më të mëdhenjve të futbollit, vetëm Diego Maradona, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë të rreshtuar përkrah tij.
Burime të ndryshme, me numërimin e lojërave të ndryshme, lista e totalit të golave të shënuar nga Pele është 650 në ndeshje të ligës, dhe 1281 në të gjitha ndeshjet e nivelit senior, disa kundër skuadrave në gara më të ulëta.
Lojtari që më vonë do të vlerësohej si “mbret”, doli në skenën botërore si 17-vjeçar në Kupën e Botës 1958 në Suedi, si lojtari më i ri në ndonjë turne të këtij niveli. Ai mbajti barrën e gjithë skuadrës, dhe shënoi dy gola në fitoren e Brazilit 5:2 ndaj nikoqires së Botërorit, madje në ndeshjen finale.
Lëndimet e limituan atë në vetëm dy paraqitje kur Brazili e mbrojti titullin e Kupës së Botës në vitin 1962, por Pele ishte emblema e shtetit të tij në triumfin e Botërorit 1970 në Meksikë. Ai shënoi në finale dhe asistoi për Carlos Alberton me një pasim të jashtëzakonshëm, në golin e fundit të shënuar në fitoren ndaj Italisë, 4:1.
Imazhi i Peles me fanellën e verdhë të Brazilit, me numrin 10 në shpinë, do të mbetet gjallë në kujtimet e secilit tifoz të futbollit. Njësoj si gëzimi i tij pas shënimit të golave – me boksin e dorës së djathtë të ngritur lart mbi kokë.
Fama e Peles ishte aq e madhe, saqë në vitin 1967 gjatë luftës civile në Nigeri u pajtuan që të bëhej armëpushim, në mënyrë që ai të luante ndeshje miqësore në atë shtet. Ai mori titullin e “Kalorësit” nga Mbretëresha e Britanisë, Elizabeth II, në vitin 1997. Kur ai e vizitoi Washingtonin për ta ndihmuar popullarizimin e kësaj loje në Amerikën e Veriut, ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ia zgjati dorën i pari.
“Emri im është Ronald Reagan. Unë jam president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, i tha ai vizitorit. “Por ju nuk keni nevojë që ta prezantoni veten, sepse të gjithë e dinë se kush është Pele”.
Pele ishte heroi i parë modern me ngjyrë, por ai rrallë foli për racizmin në një shtet ku të pasurit dhe të fuqishmit vinin nga pakica e personave me ngjyrë të bardhë.
Tifozët kundërshtarë janë tallur me Pelen duke bërë në kor gjeste të majmunëve, në mbarë botën.
“Ai tha se nuk do të luante kurrë nëse do të ndalej sa herë që dëgjonte thirrje të tilla”, ka thënë Angelica Basthi, një nga autoret që kanë shkruar për biografinë e Peles. “Ai është kyç për krenarinë e njerëzve me ngjyrë në Brazil, por asnjëherë nuk ka dashur që të jetë prijës i një gjëje të tillë”.
e Peles pas futbollit mori forma të ndryshme. Ishte politikan – Ministër i Jashtëzakonshëm i Sportit në Brazil – biznesmen i pasur, dhe ambasador i UNESCO-s dhe i Kombeve të Bashkuara.
Pati role edhe në filma, telenovela dhe madje kompozoi këngë dhe regjistroi CD të muzikës së popullarizuar braziliane.
Me përkeqësimin e shëndetit të tij, udhëtimet dhe paraqitja u rralluan shumë. Ai shihej i ulur në karroca gjatë vitit të fundit dhe nuk ishte i pranishëm në zbulimin e statujës së tij, që përfaqësonte ekipin e Kupës së Botës të Brazilit në vitin 1970. Pele e kaloi ditëlindjen e tij të 80-të i izoluar dhe me disa anëtarë të familjes në shtëpinë e tij pranë plazhit.
Edson Arantes do Nascimento u lind në qytetin e vogël të Tres Coracoes, në brendësi të shtetit Minas Gerais, më 23 tetor të vitit 1940.
Pele u rrit duke pastruar këpucë, për t’i blerë rekuizitat e nevojshme modeste të futbollit.
Talenti i Peles u vërejt në moshën 11-vjeçare, dhe një lojtar profesionist lokal e solli atë te skuadra e të rinjve të Santosit. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai u inkuadrua te skuadra seniore.
Pavarësisht se i ri dhe i gjatë 172 centimetra, ai shënonte me të njëjtën lehtësi të paraqitjeve që kishte kundër shokëve të tjerë në lagjen e tij. Debutoi me klubin brazilian në moshën 16-vjeçare në vitin 1956, dhe shpejt mbarë bota u njoftua me të.
Emri Pele erdhi pasi ai kishte gabuar në shqiptimin e emrit të një lojtari që quhej Bile.
Ai shkoi në Kupën e Botës 1958 si rezervist, por u bë lojtar vendimtar për shtetin e tij. Goli i tij i parë, ku ai e dërgoi topin mbi kokën e kundërshtarit dhe e kaloi atë e më pas gjuajti me volej, u votua si një prej më të mirëve në historinë e Kupës së Botës.
Kupa e Botës 1966 në Angli – e fituar nga nikoqirja – ishte e hidhur për Pelen, por që atëherë ai konsiderohej si lojtar i klasit botëror. Brazili u eliminua nga faza grupore, dhe Pele, i zemëruar nga trajtimi i ashpër, u betua se ishte Kupa e Botës e fundit për të.
Ai ndryshoi mendjen dhe u rikthye në Kupën e Botës 1970. Në ndeshjen kundër Anglisë, ai gjuajti me kokë dhe ishte i sigurt se do të shënonte, por portieri shtatlartë Gordon Banks e dërgoi topin mbi shtyllë me një lëvizje të përkryer. Pele kishte thënë se ajo pritje ishte një prej më të mirave në historinë e Kupës së Botës dhe e krahasoi me një “salmon që ngjitet në ujëvarë”. Më vonë ai e shënoi golin e parë në finale kundër Italisë, në ndeshjen e tij të fundit në një botëror.
Në total, Pele ka luajtur 114 ndeshje me Brazilin, shënoi rekord prej 95 golave, përfshirë 77 në ndeshje zyrtare.
Periudha me Santosin zgjati për afro tri dekada, derisa ai ishte afër pensionimit në sezonin 1972. Klube të pasura evropiane provuan që ta transferonin, por Qeveria braziliane intervenoi duke mos e lënë të shitej, dhe deklaroi se ai është pasuri nacionale.
Në fushë, energjia e Peles, vizioni dhe imagjinata, bënë që Përfaqësuesja e Brazilit të luante me stil të shpejtë e të rrjedhshëm, që u emërua si “O Jogo Bonito” – në gjuhën portugeze “Loja e bukur”.
Autobiografia e tij e vitit 1977, “Jeta ime dhe loja e bukur”, bëri që si frazë të hyjë në leksikonin futbollistik.
Në vitin 1975 ai iu bashkua New York Cosmos, në Ligën e futbollit të Amerikës së Veriut. Edhe pse 34-vjeçar dhe jo në kulmin e tij si lojtar, Pele i dhuroi Amerikës së Veriut profil të lartë të futbollit. Ai e udhëhoqi Cosmosin drejt titullit të ligës në vitin 1977 dhe shënoi 64 gola në tri sezone.
Pele e mbylli karrierën më 1 tetor të vitit 1977, në një ndeshje zbavitëse ndërmjet Cosmosit dhe Santosit, para 77 mijë të pranishmëve në New Jersey. Ai luajti nga një pjesë për secilin klub. Mes personaliteteve të ndritura ishte një prej emrave më të njohur në botën e sportit, Muhammad Ali.
Pele kaloi edhe momente të vështira në jetën e tij personale, sidomos kur djali i tij, Edinho, u arrestua për akuza të lidhura me drogën. Pele pati dy vajza jashtëmartesore dhe pesë fëmijë nga dy martesat e para, me Rosmeri dos Reis Cholbi dhe Assiria Seixas Lemos. Më vonë u martua me biznesmenen, Marcia Cibele Aoki.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.