Sport

Me Mbappen dhe Deschampsin e ardhmja e Francës duket e sigurt

Kylian Mbappe - Katar 2022 - Franca

Franca luajti rolin e saj në një nga përfundimet më të paharrueshme në historinë e Kupës së Botës, edhe pse kampionia në fuqi nuk arriti ta mbante titullin. “Hat-tricku” i sulmuesit Kylian Mbappe mundësoi që Franca të barazonte 3:3 me Argjentinën në ndeshjen finale. Në serinë e penalltive, dukej se ishte e destinuar që Lionel Messi të fitonte Kupën e parë të Botës në moshën 35-vjeçare, dhe jo që Mbappe ta fitonte të dytën rresht në moshën 23-vjeçare.

Megjithatë, themelet e ekipit të Francës janë të forta, katër vjet para Kupës së ardhshme të Botës. Franca i tejkaloi pritjet edhe si kampione në fuqi dhe si skuadra e renditur në pozitën e katërt në botë. Një seri rezultatesh të dobëta në Ligën e Kombeve të UEFA-s, duke përfshirë një humbje në shtëpi në qershor nga Danimarka, plus një seri lëndimesh para dhe pas përzgjedhjes së skuadrës për turneun e Katarit, pothuajse shuan shpresat për ndonjë rezultat të mirë. Më pas në seancën e fundit stërvitore para fluturimit për në Doha, sulmuesi Christopher Nkunku u dëmtua nga një shok i skuadrës për t’u detyruar të largohet. Situata është përkeqësuar tutje në Katar. Fituesi i “Topit të Artë”, Karim Benzema, u detyrua të largohej nga skuadra për shkak të një dëmtimi dhe më pas Lucas Hernandez, mbrojtësi i majtë në ekipin e vitit 2018, pësoi një dëmtim në gju pas vetëm nëntë minutave lojë në ndeshjen e parë të Francës kundër Australisë.

Franca megjithatë, u bë më e mirë, ndërsa skuadra kaloi nëpër raundet e eliminimit - kundër Polonisë, Anglisë dhe Marokut. Rekordi nën drejtimin e trajnerit të Francës, Didier Deschamps, me dy finale të Kupës së Botës dhe një çerekfinale, plus një finale të Kampionatit Evropian dhe një titull të Ligës së Kombeve të UEFA-s, është vërtetë mbresëlënës.

“Unë jam optimist për të ardhmen”, tha Deschamps, i cili ka përzier me profesionalizëm rininë dhe përvojën në ekipet e tij. “Shumë lojtarë kanë luajtur në shumë prej atyre turneve dhe kanë përvojë”.

Vetëm katër nga 26 lojtarët në skuadër kanë mbushur 30 vjet dhe Deschamps e ka bërë të qartë se dëshiron të nënshkruajë zgjatjen e kontratës që federata franceze e futbollit thotë se dëshiron t’ia ofrojë. Kupa e Botës e këtij viti mund të jetë e fundit për Olivier Giroudin, i cili në moshën 36-vjeçare mori rolin e sulmuesit qendror të lënë nga Benzema dhe theu rekordin e golave të Thierry Henryt te Franca. Giroud e mbylli turneun me katër gola dhe tani ka 53 gola, dy më shumë se Henry. Mbappe ka 36 gola dhe mund ta arrijë rekordin para Kupës së Botës 2026.

Benzema mbushi 35 vjet të hënën dhe njoftojë tërheqjen nga Franca. Kapiteni Hugo Lloris ka ditëlindjen e 36-të një javë më vonë, ku pritet të konfirmojë largimin nga ekipi. Në moshën 31-vjeçare dhe pas një Botërori të shquar, Antoine Griezmann mund të shikojë drejt një Botërori tjetër. Deschamps është ende vetëm 54-vjeçar dhe duket larg të qenit i lodhur në vitin e 11-të në post.

Gjenerata e ardhshme e lojtarëve ishte në Kupën e Botës. Disa debutuan këtë vit dhe përparimi i tyre në Katar u përshpejtua nga të gjitha dëmtimet dhe sëmundjet e lojtarëve të njohur prej kohësh. Aurelien Tchouameni iu bashkua ish-shokut të skuadrës së Monacos, Youssouf Fofana në mesfushë. Mbrojtësi 21-vjeçar i Arsenalit, William Saliba, gjithashtu pati kohë për të luajtur. Vendin e Llorisit në portë do ta zë 27-vjeçari Mike Maignan, i cili ka fituar titullin e kampionit me Milanin dhe Lillen. Maignan gjithashtu u lëndua dhe humbi Kupën e Botës.

Nkunku, tani 25-vjeçar, do të transferohet te Chelsea sezonin e ardhshëm pas katër vjetësh në Leipzig dhe duke bërë përshtypje në Ligën e Kampionëve . Më 24 mars, Franca do të presë Holandën në “Stade de France” për të nisur ciklin kualifikues në një nga grupet më të vështira kualifikuese të Kampionatit Evropian. Përplasja mes finalistes dhe çerekfinalistes së Kupës së Botës është ndeshja më e nxehtë e programit kur ekipet kthehen në aksion pas tre muajsh. Në grup janë edhe Greqia, Irlanda dhe Gjibraltari.