Sport

Xhudistet kërkojnë medalje në garën përmbyllëse të vitit

Xhudo - Loriana Kuka
 

Dy kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, si dhe Loriana Kuka e Laura Fazliu, e përfaqësojnë Kosovën në Mastersin e xhudos që prej të martës e deri të enjten mbahet në Jerusalem të Izraelit.

Pos që është gara e fundit e vitit, Mastersi është prej ngjarjeve më të mëdha. Në të marrin pjesë vetëm xhudistët më të mirë në kategori, ndërsa pikët e shumta që i ofron ia rritin vlerën. Medalja e artë në Masters siguron plot 1800 pikë në ranglistën botërore. Vetëm Botërori ofron më shumë pikë – 2000. E arta në Grand Slam “shpërblehet” me 1000 pikë, ndërsa për të artën në garat Grand Prix dhe në kampionatet kontinentale fitohen 700 pikë. Nëse për bazë merren pikët, atëherë Mastersi ka vlerë gati dy herë më të madhe se Grand Slami dhe dy herë e gjysmë më të madhe se garat Grand Prix dhe Evropiani.