Trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq ka thënë se e gjithë botës do t’i mungojë Luka Modriq nëse ai vendos të tërhiqet nga përfaqësuesja pas ndeshjes për vend të tretë në Kupën e Botës të shtunën.
Daliq pranoi të mërkurën se lojtari 37-vjeçar ishte shumë i zhgënjyer dhe i goditur rëndë nga humbja e së martës në gjysmëfinale 3:0 nga Argjentina.
Kroacia humbi rastin të paraqitet dy herë rresht në finale të Kupës së Botës.
“Nëse Luka do të tërhiqet, do të ishte një humbje e madhe për të gjithë tifozët në mbarë botën. Luka Modriq tregoi se nuk është vetëm një lojtar i madh, por profesionist i madh dhe një sportist i madh.
Ai gjithmonë i përgëzon kundërshtarët e tij pas ndeshjes edhe nëse ai humb apo fiton. Pra, ai është thjeshtë një top lojtar dhe personazh i lart. Ai do ta marrë vetë këtë vendim, por me siguri gjithë botës do t’i mungonte nëse ai tërhiqet nga përfaqësuesja. Shpresoj se ai nuk do ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Daliq të mërkurën në një konferencë për media. Kroacia të shtunën do të luaj për vend të tretë në Kupë të Botës.