Youssouf Fofana dikur shpërndante pica, ndërsa tani harkime në Kupën e Botës.
Pasi ishte larguar në vitin 2015 në moshën 14-vjeçare nga Clairefontaine, qendrën stërvitore të Përfaqësueses së Francës, e ardhmja e tij në futboll ishte afër fundit. Kështu që ai nisi punën në një piceri.
“Ajo ishte mënyra më e mirë për të fituar para dhe po ashtu për t’i ndjekur ëndrrat e mia”, ka thënë mesfushori 23-vjeçar të enjten, dy ditë para se Franca të takohet me Anglinë në çerekfinale të Kupës së Botës.
Fofana debutoi me Përfaqësuesen e Francës në shtator dhe ishte zgjedhur nga përzgjedhësi Didier Deschamps në mesin e 26 lojtarëve të “Les Bleus” që kërkojnë ta mbrojnë trofeun e Kupës së Botës.
Ai hyri në lojë si zëvendësues në fitoret e fazës grupore kundër Australisë dhe Danimarkës. Ishte titullar në disfatën 1:0 nga Tunizia dhe luajti 25 minutat e fundit në ndeshjen e një të tetës së finales ndaj Polonisë.
Kishte kaq shumë kthesa në karrierën e një lojtari të cilit iu deshën dy vjet për ta gjetur një klub profesionist. Ai luajti për Drancyn, një skuadër amatore në verilindje të Parisit, para se të transferohej në Akademinë e Strasbourgut në vitin 2017.
“Kam pasur dyshimet e mia dhe duhet të dish se si të shikosh para”, ka thënë Fofana nëpërmjet një përkthyesi.
Ai debutoi në Ligue 1 kundër Lyonit më 24 gusht të vitit 2018 dhe u transferua te Monaco në janar të vitit 2020. Arriti në Ligën e Evropës me klubin e ri në edicionin 2021/22 dhe në sezonin aktual.
Franca, që kërkon titullin e tretë të Botës, nëse do të kalonte në gjysmëfinale, do të luante kundër Portugalisë apo Marokut. Gjysmëfinalja e anës tjetër do të jetë me fituesit e dueleve Holanda - Argjentina dhe Kroacia - Brazili.
“Les Bleus” udhëhiqen nga Kylian Mbappe, i cili është golashënuesi më i mirë i Botërorit me pesë gola.
Mbrojtësi i krahut të djathtë i Anglisë, Kyle Walker, është përballur me Mbappen në Ligën e Kampionëve derisa luante me Manchester Cityn dhe ka thënë të mërkurën se “e respektojmë atë sepse është lojtar i mirë dhe në formë të mirë për momentin, por nuk do t’ia shtrojë tapetin e kuq dhe t’i them shko dhe shëno gol”.
Për Fofanan kjo ishte argëtuese.
“E heq kapelën për të”, tha Fofana. “Nëse ai mund ta ndalë Kylianin, mirë për të. Por janë edhe 19 skuadra të tjera në ligën franceze që po e presin përgjigjen se si ta ndalin Kylianin dhe e vërteta është në fushë”.
Fofana ishte në disponim të mirë kur nisi të flasë për përgatitjet. Kur u pyet se si ishte atmosfera në dhomat e zhveshjes para se të niste Kupa e Botës, ai u përgjigj: “Atmosfera është e tensionuar, e tensionuar, e tensionuar”.
“Jo, po bëj shaka”, vazhdoi ai. “Ne mund të mbajmë kufje, kështu që nëse neve nuk na pëlqen muzika e zgjedhur për grupin, atëherë mund ta dëgjojmë muzikën që neve na pëlqen”.
Cilësia e 98-s
Mbrojtësi Dayot Upamecano ka thënë se ai ka folur me Marcel Desaillyn, mbrojtësin e ekipit të Francës së vitit 1998, kur u shpall kampione bote.
“Ai më ka dhënë disa këshilla të cilat duhet t’i vazhdoj së zbatuari”, ka thënë Upamecano. “Është kënaqësi e vërtetë kur flet me dikë si ai. Ai ishte fitues. Ai ishte luftëtar, një shembull i mirë për francezët”.