Sport

Upamecano nuk frikësohet nga Bellinghami

Dayot Upamecano

Dayot Upamecano beson se mbulimi i Jude Bellinghamit dhe fitimi i betejës në mesin e fushës, mund të jetë vendimtare për Francën që ta kalojë Anglinë dhe ta mbrojë trofeun e Kupës së Botës.

Qendërmbrojtësi Upamecano është përballur me talentin e Bellinghamit kur me Bayern Munichun luajti kundër Borussia Dortmundit në Bundesligë, por nuk e konsideron atë rrezik të madh të shtunën në çerekfinale.

“Nuk mendoj se ai është rreziku kryesor, por Anglia ka ekip shumë të fortë”, ka thënë Upamecano.

“E njoh mirë atë – Bayern-Dortmund është luftë. Ai po merr shumë eksperiencë dhe e ka besimin e plotë në çdo ndeshje. Do të jetë betejë e madhe në mesfushë. Ne do të mbështetemi në lojtarët si Antoine Griezmann dhe Adrien Rabiot”, theksoi Upamecano të enjten në konferencën për shtyp.

Upamecano ka shtuar se po bëhen përgatitje ekipore, dhe jo individuale.