Sport

Wimbledoni gjobitet me mbi 800 mijë funte për ndalimin e tenistëve rusë e bjellorusë

Descriptive Text

Shoqata e Tenisit në Britani të Madhe (LTA) është gjobitur me 820,000 funte nga Asociacioni i Profesionistëve të Tenisit (ATP) për ndalimin e lojtarëve meshkuj rusë dhe bjellorusë nga ndeshjet e kësaj vere.

Ndalimi u vendos si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Organi qeverisës është paralajmëruar gjithashtu se mund të humbasë anëtarësimin e tij në ATP nëse një vendim i ngjashëm merret vitin e ardhshëm.

LTA-ja thotë se është "thellësisht e zhgënjyer" dhe ka akuzuar ATP-në se tregon një "mungesë të habitshme ndjeshmërie për situatën në Ukrainë".

"ATP duket se e konsideron këtë çështje si një shkelje të drejtpërdrejtë të rregullave të tyre - me një mungesë të habitshme ndjeshmërie të treguar për situatën në Ukrainë dhe një mungesë të qartë të të kuptuarit të rrethanave unike me të cilat u përball LTA”, thuhet në deklaratën e LTA-së.

Ndëshkimi vjen pas gjobave me gjashtë shifra për LTA-në dhe All England Lawn Tennis Club, të cilët organizojnë Wimbledonin, për përjashtimin e lojtarëve femra ruse dhe bjelloruse.

ATP, e cila mbikëqyr ngjarjet e tenisit për meshkuj jashtë Grand Slams, u lejon rusëve dhe bjellorusëve të konkurrojnë në turne, por jo nën flamujt e tyre kombëtar.