Sport

Hendersoni ka fituar respektin falë rolit me ndikim tek Anglia

Pasi e nisi Kupën e Botës në hije, Jordan Henderson është shfaqur si hero i papritur i Anglisë përpara ndeshjes çerekfinale kundër Francës, që zhvillohet të shtunën.

Ndërsa kapiteni i Anglisë, Harry Kane, dhe sensacioni Jude Bellingham pritet t’i japin momentet kryesore kundër Francës, Henderson do ta sigurojë bazën që shokët e tij të profilit të lartë të lulëzojnë në stadiumin “Al Bayt”.

Henderson ka qenë figurë përçarëse mes tifozëve të Anglisë, të cilët shpesh kanë preferuar të shohin opsione më magjepsëse në “motorin” e mesfushës angleze. Por kritikët e formës ndërkombëtare të kapitenit të Liverpoolit janë detyruar të hanë fjalët e tyre gjatë dy javëve të fundit. Edhe pse Henderson ishte ndër zëvendësuesit në dy ndeshjet hapëse të Anglisë në Katar, trajneri i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate i është drejtuar mesfushorit në një lëvizje që po vazhdon t’i shpaguhet atij. Me Declan Ricen dhe Jude Bellinghamin që luftonin për t'u imponuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndeshjen e dytë të Grupit B, Southgate ndjeu se prania vokale e Hendersonit dhe përvoja e tij do të ishin të mirëseardhura për ekipin.

32-vjeçari u inkuadrua në lojë në minutën e 69-të dhe menjëherë bëri të ndihet prania e tij, duke i nxitur bashkëlojtarët të shtynin para gjithnjë e më shumë.

Edhe pse ndeshja ndaj SHBA-së përfundoi në një ngërç pa gola, lidershipi dhe shkalla e punës së Hendersonit kishin mjaftueshëm ndikim për të fituar një vend në formacionin bazë për ndeshjen e fundit të grupit kundër Uellsit. Paraqitja e Hendersonit së bashku me Ricen si dyshe para mbrojtjes së Anglisë, i dha Bellinghamit lirinë për të ardhur në shprehje ndërsa lojtarët e trajnerit Southgate arritën një fitore me shifrat 3:0 ndaj Uellsit.

“Kur po luanim kundër SHBA-së kishim disa probleme taktike që Hendersoni ndihmoi për t'i zgjidhur. Ai ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në grup dhe me vjen mirë që po e shpaguan besimin tim”, pranoi Southgate.

Ishte një histori e ngjashme në fitoren 3:0 të së dielës kundër Senegalit në 1/8 e finales, pasi Bellingham mori vëmendjen me një paraqitje mjeshtërore, të mundësuar nga kontributi vetëmohues i Hendersonit.

Në mënyrë të përshtatshme, Bellingham ia ktheu favorin duke ofruar asistimin për Hendersonin, i cili e kaloi Anglinë në epërsi. Edhe 19-vjeçari Bellingham iu përkul lojës së Hendersonit dhe ndikimit të tij në ekip, duke i hedhur poshtë të gjitha dyshimet që kritikët i kishin për mesfushorin e Liverpoolit.

“Ishte një paraqitje e shkëlqyer nga Jordani. Unë kam parë disa gjëra që nuk lënë dyshime për të dhe lojën e tij. Është qesharake”, shtoi Bellingham. “Ai është shumë i nënvlerësuar teknikisht dhe ai bëri përsëri një lojë të madhe me një gol të rëndësishëm. Kështu që mendoj se është koha që ai të ketë pak respekt nga të gjithë”.

Edhe Southgate u sigurua ta përshëndesë rolin e Hendersonit, i cili ndihmoi Anglinë për ta eliminuar Senegalin pas një fillimi nervoz të ndeshjes.

“Jude dhe Hendo, kur kishim probleme me posedim të topit, ndihmuan ekipin që të kthehet në lojë. Ndikimi i Hendos po i lejon Judet më shumë liri në pozitën e tij dhe ai po përgjigjet shumë mirë”, tha Southgate.

Prova e radhës e Hendersonit do të jetë më e vështira deri më tani në turneun e Katarit, ajo kundër Francës. Kampionia e botës ka një mesfushë të frikshme të përbërë nga Aurelien Tchouameni dhe Adrien Rabiot, me Antoine Griezmannin që luan para tyre. Ndalimi i linjës së furnizimit me topa për sulmuesin francez, Kylian Mbappe, është thelbësor nëse Anglia do të arrijë në gjysmëfinale. Dhe Henderson do të mbajë mbi supe pjesën më të madhe të kësaj përgjegjësie. Southgate nuk ka dyshim se mesfushori mund të përballet me sfidën pasi ka shikuar Hendersonin të zhvillohet në një fitues të Premier Leagues dhe Ligës së Kampionëve nën drejtimin e trajnerit të Liverpoolit, Juergen Klopp.

“Me mënyrën si po luan në Katar, ky është ndoshta versioni më i mirë i Jordanit që kemi parë te ne deri më tani”, u shpreh Southgate. “Ai nuk është i njohur për golat, por shënoi gol të rëndësishëm me Senegalin. Ai është një mesfushor që mendon përpara, por në të njëjtën kohë na ndihmon edhe të mbrohemi. Ndonjëherë ne nuk jemi të shpejtë për ta çuar topin përpara dhe ai ka pasur ndikim në pasimet e sulmuesve”.