Sport

Koreja e Jugut kthen sytë kah të rinjtë pas humbjes nga Brazili

Koreja e Jugut humbi në 1/8 e finales të Kupës së Botës dhe më pas humbi edhe trajnerin e saj. Përfaqësuesja aziatike u mposht nga Brazili, 4:1, të hënën mbrëma. Pak orë pas ndeshjes trajneri Paulo Bento njoftoi se do të largohej për t'i dhënë fund mandatit katërvjeçar. Trajneri portugez tha se vendimin e kishte marrë disa muaj më herët.

Koreja e Jugut u eliminua nga Kupa e Azisë 2019 në çerekfinale, kështu që arritja në 16 ekipet më të mira në Botërorin e Katarit mund të shihet si pozitive. Koreja e Jugut u paraqit në Kupën e Botës për herën e dhjetë rresht dhe herën e njëmbëdhjetë në përgjithësi. Kjo ishte hera e tretë që Koreja e Jugut arriti në rundin e eliminimit.

Performanca më e mirë e saj ishte në vitin 2002 kur bashkorganizoi Botërorin me Japoninë dhe arriti në gjysmëfinale. Një figurë kyç që do t’i mungojë Koresë së Jugut në të ardhmen do të jetë selektori Bento. Megjithatë, grupi aktual i lojtarëve është padyshim më i miri që ka pasur Koreja e Jugut dhe shumica janë relativisht të rinj. Një nga lojtarët më të vjetër ishte 30-vjeçari Son Heung-min, futbollisti i Tottenhamit. Son nuk arriti të shënonte në këtë Botëror, ndonëse prej tij u prit shumë. Megjithatë ai bëri një asistim për golin e Hwang-Hee-chan, i cili i dha Koresë së Jugut fitoren 2:1 ndaj Portugalisë dhe një vend në 1/8 e finales. Son luajti në turne me një maskë të zezë në fytyrë për t’u mbrojtur pas lëndimit që e kishte pësuar më 2 nëntor duke luajtur për Tottenhamin në Ligën e Kampionëve.

Një ditë pas eliminimit, Son vuri në dukje se cilët mendon se do të jenë lojtarët e ardhshëm që do të udhëheqin Korenë e Jugut. Ai veçoi Lee Kang-in dhe Paik Seung-ho. Paik hyri dhe shënoi si zëvendësues kundër Brazilit në aksionin e tij të parë në Kupën e Botës.

“Jam mirënjohës që lojtarët tanë të rinj treguan se çfarë janë në gjendje të bëjnë në këtë skenë dhe gjithashtu vlerësoj potencialin për atë që mund të bëjnë në të ardhmen”, tha Son. “Shpresoj që ata të bëhen edhe më të mirë”.

Son gjithashtu u kërkoi falje tifozëve për eliminimin nga Kupa e Botës dhe shtoi se i vjen shumë keq për largimin e trajnerit Bento.

“Më vjen vërtet keq për njerëzit tanë, për tifozët e futbollit që na mbështetën”, tha Son. “Ne u angazhuam dhe luftuam, por nuk ishte aspak lehtë. Po ashtu, Bento do t’i mungojë shumë këtij ekipi në të ardhmen”.

Në katër ndeshje të luajtura në total në Kupën e Botës “Katari 2022”, Koreja e Jugut regjistroi një fitore, një barazim dhe dy humbje. Në kuadër të Grupit H e mposhti Portugalinë dhe luajti pa gola kundër Uruguait, kurse pësoi nga Gana.