Sport

Yakin: Plani ynë nuk funksionoi

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin ka pranuar se asgjë nuk funksionoi për helvetikës në ndeshjen ndaj Portugalisë. Portugezët fituan 6:1 dhe avancuan në çerekfinale të Kupës së Botës.

“Jemi të dëshpëruar që nuk ishim në gjendje të implementojmë atë që kemi planifikuar. Qartë se ka diçka për të bërë me një kundërshtar dominant. Ne duhet të pranojmë që shumë gjëra nuk funksionuan. Ishim shumë larg kundërshtarit, nuk kemi fituar asnjë duel. Por nuk duhet ta fajësojmë ekipin. Ai ka provuar çdo gjë. Asnjëherë nuk kemi pasur qasje në ndeshje, si në aspektin defanziv ashtu edhe ofenziv. Ishim të padurueshëm. Kemi pasur plan të qartë që nuk ka funksionuar”, ka thënë Yakin pas ndeshjes.

Yakin ka thënë se Zvicra ka pasur kampanjë të mirë, që ka luajtur futboll të mirë.

“Më vjen keq për lojtarët dhe për vendin. Ne kemi pasur shans. Është ekip i madh që ka dëshirë të luaj futboll sulmues. Nuk mund ta ndryshojmë këtë, por mund të jemi krenarë me arritjen. Ishte grup i vështirë, por nuk ia dolëm sonte për shkak të shumë dështimeve. Nuk po arsyetohem, por Portugalia fitoi dy ndeshje në grup dhe më pas pushoi lojtarët. Qartë se neve na munguan këto periudha rikuperimi. Nuk funksionon tani, duhet ta kalojmë këtë si ekip. Të nxjerrim konkluzionet e duhura dhe të kthehemi më të fortë”, ka shtuar selektori i Zvicrës.