Sport

Shëndeti i Peles po përmirësohet

Shëndeti i yllit të futbollit brazilian, Pele, është duke u përmirësuar, kanë thënë mjekët të martën.

82-vjeçari Pele ka qenë në spital tash e një javë për t’u trajtuar nga një infeksion i frymëmarrjes, që ka ardhur si pasojë e Covid-19.

Ai pritet të largohet nga spitali kur të shërohet plotësisht nga infeksioni.

“Ai ka dhënë shenja pozitive, me vetëdije dhe nuk ka komplikime të tjera”, ka shkruar spitali “Albert Einstein” në komunikatë.

Pele, tri herë fitues i Kupës së Botës, po lufton kundër kancerit dhe është duke iu nënshtruar kimioterapisë.

Në Katar është shfaqur fotografia e Peles në moshë të re duke festuar gola dhe duke ngritur trofeun e Kupës së Botës me fanellën e Brazilit.

Ndërkohë, ka pasur përkrahje të madhe për të nga tifozët brazilianë dhe nga e gjithë bota e futbollit.