Sport

Bento largohet nga Koreja e Jugut

Pak orë pas eliminimit nga Kupa e Botës, portugezi Paulo Bento ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Koresë së Jugut. Koreja e Jugut pësoi humbje të thellë 4:1 nga Brazili të hënën mbrëma për t’u eliminuar në 1/8 e finales të turneut të Katarit.

Bento ka qenë në krye të Koresë së Jugut prej vitit 2018 kur zëvendësoi të larguarin Shin Tae-yong.

Në Katar, Bento e udhëhoqi Korenë e Jugut për herë të parë përtej fazës së grupeve në Botëror që nga viti 2010. Në tri ndeshje të luajtura në fazën e grupeve, Koreja e Jugut shënoi një fitore, një barazim dhe një humbje.

“Me duhet të mendoj për të ardhmen, por ajo nuk do të jetë te Koreja e Jugut. Do të pushoj pak dhe pastaj do të shoh opsionet. Kam njoftuar lojtarët dhe federatën për largimin tim, vendim të cilin e kam marrë në muajin shtator”, tha Bento, i cili shtoi se është krenar me paraqitjen e Koresë së Jugut në këtë Botëror.