Polonia kthehet në shtëpi nga Kupa e Botës si skuadra e fundit e paaftë për të kapërcyer një Kylian Mbappe të frymëzuar, i cili dominoi në fitoren 3:1 të Francës në 1/8 e finales.
Për Poloninë ishte humbja e dytë rresht ndaj superyjeve të futbolli, pasi Lionel Messi dhe Argjentina e mposhtën 2:0 në xhiron e fundit të ndeshjeve të fazës së grupeve.
Polonia dukej e mbingarkuar në nivelin më të lartë dhe e paaftë për të krijuar raste të mjaftueshme për lojtarin e saj kryesor, Robert Lewandowskin, i cili shënoi dy gola në katër ndeshje të luajtura. Suksesi i fundit i Polonisë në Kupën e Botës mbetet ai i vitit 1986, kur arriti të avanconte nga faza e grupeve. Standardi tani është shumë ndryshe nga katër dekada më parë, kur një eliminim në 1/8 e finales do të konsiderohej një dështim për tifozët që brohoritën për vendet e treta në turnetë e vitit 1974 dhe 1982.
Por tani ka një situatë reali për Poloninë në botën e futbollit, veçanërisht për klubet e saj që luftojnë për të qenë konkurrentë në garat evropiane.
“Përfundimisht ne kemi disa kufizime”, tha trajneri i Polonisë, Czeslaw Michniewicz, kur u pyet për eliminimin.
Polonia avancoi nga Grupi C falë një fitoreje solide 2:0 ndaj Arabisë Saudite që kishte impresionuar botën duke mundur Argjentinën 2:1 në ndeshjen e parë. Ndoshta i gjithë grupi polak do të qëndrojë së bashku, të paktën për ciklin e ardhshëm të Kampionatit Evropian. Treshja e fuqishme e Polonisë në dekadën e fundit ka qenë e përbërë nga veteranët Lewandowski, portieri Wojciech Szczesny dhe mbrojtësi Kamil Glik. Asnjëri nuk paralajmëroi se do të mbyllë karrierën ndërkombëtare pas humbjes nga Franca. Lewandowski ishte në mëdyshje kur u pyet nëse donte të synonte Kupën e Botës 2026, e cila fillon në Amerikën e Veriut dy muaj para ditëlindjes së tij të 38-të. Por të luajë në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, një shtëpi e dytë për ish-yllin e Borussia Dortmundit dhe Bayern Munichut, është brenda synimeve.
Trajneri Michniewicz është vendosur të drejtojë ekipin në atë kampanjë. I punësuar në janar me një kontratë afatshkurtër, ai do ta rinovojë automatikisht kontratën deri në Evropianin e vitit 2024, pasi kaloi fazën e grupeve në turneun e Katarit.
Në moshën 28-vjeçare Piotr Zielinski ka arritur një nivel të shkëlqyer duke luajtur për Napolin që është lider në Serie A dhe duket se do të shkojë larg në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësi i Romës, Nicola Zalewski, ka lulëzuar në ekipin e trajnerit Jose Mourinho, megjithëse nuk u përdor titullar në Katar.
“Nico është ende 20-vjeçar dhe i ri për të shpërthyer në një turne të madh”, tha mbrojtësi i Polonisë, Matty Cash. “Ne kemi shumë lojtarë të mirë që po vijnë”.
Dhe zëvendësimi i Lewandowskit mund të vijë nga Major League Soccer, ku 25-vjeçari Karol Swiderski shënoi 10 gola dhe shtoi gjashtë asistime sezonin e kaluar me Charlotte FC. Polonia është skuadra e vazos së parë në grupin kualifikues të Euro 2024, ndeshje këto që luhen vitin tjetër, dhe është shumë e favorizuar për të kaluar në turneun me 24 ekipe.
Dy të parat e grupit që përbëhet nga Polonia, Çekia, Shqipëria, Moldavia dhe Ishujt Faeroe do të kualifikohen. Polakët e nisin më 24 mars kampanjën me ndeshjen e tyre më të vështirë, në udhëtim te Çekia.