Sport

Lajmërohet Pele: Jam i fortë

Legjenda braziliane Pele ka reaguar në profilin e tij në Instagram pas lajmeve për përkeqësim të shëndetit të tij. Ai i ka falënderuar të gjithë miqtë për mesazhet e shumta dhe ka thënë se është i fortë e me shumë shpresë për ta kaluar këtë sfidë. 

“Miqtë e mi, dua t’iu mbaj të gjithëve të qetë dhe pozitivë. Jam i fortë, me shumë shpresë dhe do ta ndjek trajtimin tim si zakonisht. Dua të falënderoj të gjithë stafin mjekësor për të gjithë kujdesin që kam marrë”, ka shkruar Pele.

“Kam shumë besim në Zot dhe çdo mesazh që kam pranuar nga ju, nga e gjithë bota, më mban me energji të plotë. Dhe duke shikuar Brazilin në Kupën e Botës gjithashtu. Faleminderit për gjithçka”, thuhet në postimin e Peles.

Futbollisti ikonik brazilian u shtrua në spital ditëve të fundit pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua shumë. Ai vuan nga kanceri në zorrën e trashë. Lajmet e fundit tregojnë se gjendja e tij momentalisht është stabilizuar.

Ish-sulmuesi është golashënuesi më i mirë i Brazilit me 77 gola në 92 ndeshje dhe ka shënuar gola në katër turne të Kupës së Botës. I ka fituar tri botërore.