Sport

Holanda, çerekfinalistja e parë

Falë një paraqitjeje brilante të Denzel Dumfriesit, Holanda ka siguruar çerekfinalen e Kupës së Botës që po mbahet në Katar.

Dumfries ishte i jashtëzakonshëm të shtunën te Holanda, që arriti fitore 3:1 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dumfries asistoi në dy gola, ndërsa shënoi një tjetër vetë. Mbrojtësi i Interit asistoi për Memphis Depayn në minutën e 10-të, dhe për Daley Blindin në minutën e parë të kohës shtesë në pjesën e parë.

SHBA-ja ngushtoi epërsinë me zëvendësuesin Haji Wright në minutën e 76-të, por Dumfries shfrytëzoi për mrekulli asistimin e Blindit në minutën e 81-të, dhe vulosi rezultatin final të takimit dhe kualifikimin tutje të Holandës.

Holanda, çerekfinalistja e parë e Botërorit, do të luajë me fituesin e ndeshjes Argjentina – Australia.


Dumfries shënon për Holandën

Holanda nuk ka lejuar befasi për momentin. Ka shënuar edhe golin e tretë në minutën e 81-të nëpërmjet mbrojtësit Denzel Dumfries.

Daley Blind harkoi në zonë, ndërsa Dumfries i lirë, shënoi nga afërsia me të majtën për 3:1 ndaj SHBA-së.


Wright ngushton epërsinë

Image

Haji Wright hyri si zëvendësues te SHBA-ja në minutën e 67-të, ndërsa realizoi për ngushtimin e epërsisë ndaj holandezëve, pak minuta më vonë.

SHBA-ja është duke humbur 2:1 aktualisht.

Wright para se të shënonte golin në minutën e 76-të, humbi mundësi të mirë i vetëm përballë portierit kundërshtar.


Holanda në pushim me dy gola epërsi ndaj SHBA-së

Image

Holanda e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi prej dy golave ndaj SHBA-së, në ndeshjen e parë të një të tetës së finales.

Memphis Depay shënoi në minutën e 10-të, ndërsa holandezët golin e dytë e shënuan në minutën e parë të kohës shtesë në pjesën e parë.

Denzel Dumfries harkoi nga e djathta, ndërsa Blind me të parën shënoi për 2:0.

Para rezultatit 2:0, SHBA-ja rreshtoi disa raste shënimi, por ishte portieri holandez që nuk lejoi një gjë të tillë.

https://dubz.co/v/k98q44


Holanda në epërsi

Holanda e ka nisur në mënyrën më të mirë ndeshjen ndaj SHBA-së.

Tulipanët kaluan në epërsi qysh në minutën e 10-të. Realizoi Memphis Depay pas asistimit të Denzel Dumfriesit.

https://dubz.co/v/63tmtf


Nis ndeshja Holanda – SHBA

Ka nisur ndeshja e parë e fazës së 1/8 të finales mes Holandës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi po zhvillohet në stadiumin “Khalifa International”.

Fituesi i këtij takimi në çerekfinale takohet me fituesin e ndeshjes Argjentinë – Australi.