Sport

Arabia Saudite largohet nga Botërori me kokën lart

Nga një fitore përcaktuese e gjeneratave ndaj Lionel Messit dhe Argjentinës, deri te raportet e fundit se Cristiano Ronaldo së shpejti mund të jetë duke luajtur futboll në mbretëri, Arabia Saudite ka shkaktuar një sensacion në Kupën e Botës.

“Skifterat e gjelbër” nuk kanë asgjë për t'u turpëruar pasi u eliminuan pas humbjes 2:1 ndaj Meksikës të mërkurën. Ekipi me renditjen e dytë më të ulët në turne, Arabia Saudite ishte konkurruese nga fillimi e deri në fund në Kupën e parë Botërore në Lindjen e Mesme.

“Ne bëmë më të mirën në të gjitha ndeshjet”, tha Herve Renard. “Kështu që nuk duhet ta harrojmë këtë që e bëmë së bashku, pra si ekip”.

Sauditët u hapën Botërorin me një fitore befasuese 2:1 ndaj Argjentinës dhe gjithashtu luajtën mirë në humbjen 2:0 ndaj Polonisë, përpara se të pranonin dy gola në pjesën e dytë ndaj Meksikës për të përfunduar të fundit në Grupin C.

Salem Al-Dawsari, ylli i ekipit, shënoi një gol në kohën shtesë, përpara se lojtarët sauditë të përkuleshin në fushë për lutje pas vërshëllimës së fundit dhe më pas të ngrihen në këmbë për të duartrokitur tifozët e tyre.

Portieri Mohammed al-Owais e pengoi Meksikën të shënonte një tjetër gol – i cili mund t'i kishte dërguar amerikano-jugorët në 1/8 e finales. Në vend të kësaj, ishin Argjentina dhe Polonia që përparuan nga grupi më i hapur i turneut. Me trajnerin Renard që motivonte skuadrën, Arabia Saudite u tregua e vështirë për t'u mposhtur me një skuadër prej 26 lojtarëve që janë pjesë e klubeve të këtij vendi. Fakti që asnjë nga sauditët nuk luan jashtë vendit mund të ketë qenë një faktor surprizë, por realiteti është se lojtarët më të mirë të vendit nuk kanë nevojë të shkojnë në Evropë për kontrata të pasura, kur paguhen shumë në ligën fitimprurëse saudite.

“Liga jonë është e fortë dhe interesante. Kështu që besoj se e kemi promovuar në Katar dhe besoj se tani do të jetë joshëse edhe për lojtarët e vendeve tjera”, tha Al-Dawsari.

Një kontratë me pagesë të lartë është pikërisht ajo që mund ta joshë Cristiano Ronaldon që t'i bashkohet gjashtë anëtarëve të Arabisë Saudite te Al Nassr, një nga klubet kryesore të vendit. Raportet që lidhin Ronaldon me Al Nassr vijnë pasi pesë herë fituesit të “Topit të Artë” iu ndërpre kontrata nga Manchester Unitedi. Madje, është raportuar se Ronaldo në parim ka arritur marrëveshje me ekipin saudit për dy vjet e gjysmë dhe paga e tij vjetore do të jetë mbi 200 milionë euro. Kështu që nëse Ronaldo transferohet tek Al Nassr, atëherë Përfaqësuesja e Arabisë Saudite e ka lënë Katarin me kokën lart dhe një besim të ri. Paraqitja në këtë Kupë të Botës mund të ndihmojë gjithashtu në promovimin e një oferte të mundshme të përbashkët nga Arabia Saudite me Egjiptin dhe Greqinë për të pritur Kupën e Botës 2030.