Sport

Sytë te Xhaka dhe Shaqiri për ndeshjen që pritet me interesim të madh

Zvicra do ta kërkojë kualifikimin në fazën nokaut të Kupës së Botës, të premten në duelin jo të zakontë kundër Serbisë. Përfaqësueset evropiane do të takohen në stadiumin “974” dhe synojnë avancimin nga Grupi G, ku lider është Brazili.

Ndeshja Serbia – Zvicra luhet prej orën 20:00.

Të gjithë sytë do të jenë te Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, liderët e Zvicrës. Ata kanë shënuar para katër vjetësh për fitoren 2:1 ndaj Serbisë. Dhe më pas festuan duke formuar figurën e shqiponjës dykrenore, që është aktualizuar edhe në Katar. Dy shqiptarët pritet ta udhëheqin Zvicrën edhe të premten mbrëma. Shpresohet që ata të festojnë në fund dhe të ofrojnë festë për të gjithë shqiptarët, pos për Zvicrën.

Fitorja e Brazilit 1:0 të hënën kundër Zvicrës, pak ditë pasi e shkatërroi Serbinë, por fitoi vetëm 2:0, bëri që pesë herë fituesi i Kupës së Botës të kalojë në 1/8 e finales para se ta luajë ndeshjen e fundit të grupit kundër Kamerunit.

Kjo ka bërë që Zvicra të mbetet në pozitën e dytë për momentin dhe ndoshta do t’i mjaftojë edhe një barazim për të avancuar. Megjithatë, skuadra zvicerane po synon fitoren.

“Nuk njoh ndonjë skuadër në botë që do të hynte në fushë me synimin për të barazuar 0:0. Kjo është me të vërtetë e rrezikshme”, ka thënë më herët mesfushori i Zvicrës, Djibril Sow.

Zvicra ka pasur sukses në menaxhimin e këtyre situatave në turnetë modernë, duke avancuar në 1/8 e finales në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës, si dhe në dy evropianët e kaluar.

Pesë golat që Serbia i ka pranuar janë totali i golave të pranuar së bashku nga ekipet e tjera të grupit, ndërsa Zvicra e ka pranuar vetëm një, gjuajtjen e fortë të Casemiros së Brazilit që fitoi 1:0.

Zvicra nuk pati asnjë gjuajtje në portën e portierit të Brazilit, Alisson Becker, por të premten do t’i ketë dy futbollistë të rrezikshëm e kreativë: Xherdan Shaqirin në rolin e organizatorit dhe Noah Okafor, shpejtësia dhe loja direkte e të cilit pa dyshim se mund të përdoret në ndeshjen e fundit të fazës grupore.

“Mendoj se ajo që është e rëndësishme është që të jemi dominues. Të luajmë futbollin tonë. Të shkojmë sipas planit tonë dhe plani jonë është të kualifikohemi. Ta japim më të mirën që ta meritojmë fitoren. Ne do të bëjmë çdo gjë në fushë. Ajo që është e rëndësishme është që t’i kontrollojmë emocionet tona, po ashtu. E kemi vizionin dhe dëshirën për të kaluar në 1/8 e finales. Kemi punuar fort për ta arritur objektivin tonë dhe nuk do të jetë e lehtë ndaj kundërshtarit që kemi, por ne jemi ekip i fortë, kemi eksperiencë dhe kualitet për t’u kualifikuar”, ka thënë përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, të enjten në një konferencë për shtyp.

Se janë të fokusuar krejtësisht në ndeshje ka thënë edhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Manuel Akanji.

“Nuk mendoj se diçka tjetër do të ndikojë te ne. Ndeshja e kaluar ishte në vitin 2018 dhe ne jemi këtu për të luajtur futboll. Ne dëshirojmë t’i marrim pikët e plota dhe do të fokusohemi vetëm në atë gjë”, është shprehur Akanji.

Brazilit do t’i konvenonte edhe një barazim ndaj Kamerunit për ta siguruar vendin e parë.

Te Serbia janë shprehur optimistë, por ka pasur raportime për atmosferë të keqe te kjo përfaqësuese.

Shaqiri ka munguar në ndeshjen e kaluar, por pritet të jetë gati. Motivi te Shaqiri e Xhaka nuk pritet të mungojë. Ata e dinë që kanë miliona tifozë në këtë ndeshje.