Cody Gakpo ishte shumë i lidhur me një transferim të shtrenjtë në Premier League përpara Kupës së Botës. 23-vjeçari u përgjigj me tre gola në po aq ndeshje të fazës së grupeve për Holandën.
Sulmuesi i PSV Eindhovenit - i cili zakonisht luan si anësor, por ka qenë pjesë e repartit ofensiv me dy sulmues të trajnerit Louis van Gaal - pritet të ketë ndikim në 1/8 e finales ku holandezët do të përballen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shtunën. Gakpo kishte 13 gola dhe 17 asistime për PSV Eindhovenin këtë sezon përpara se të bëhej lojtari i parë holandez që shënon në tri ndeshjet e para të Kupës së Botës.
“Ai ka luajtur vetëm me PSV-në për dy ose tri vjet dhe gjithmonë ka luajtur në të majtë”, tha trajneri Louis van Gaal. “Ai nuk ka dashur të luajë si qendër sulmues, por duhej për ne. Tani ai mendon se jam një trajner i madh. Ai ka gjithçka që duhet për t'u bërë yll. Ai ka një personalitet të mrekullueshëm për t'u bërë yll, sepse pranon çdo gjë që i cakton trajneri”.
Gakpo raportohet se është afër një transferimi në janar te Manchester Unitedi. Mediat kanë raportuar se Liverpooli është gjithashtu i interesuar për holandezin. Së pari ai do të mbajë shumë përgjegjësi ndërsa holandezët përpiqen të eliminojnë SHBA-në dhe të luajnë në çerekfinale të turneut të Katarit kundër Argjentinës ose Australisë.
“Nuk është çudi, e kam njohur nga PSV Eindhoveni”, tha mbrojtësi i krahut, Denzel Dumfries për Gakpon. “Është lojtar i jashtëzakonshëm dhe tani ne po i shohim cilësitë e tij në nivelin më të lartë. Jam krenar për të. Ai duhet të vazhdojë kështu, pasi tani jemi në fazën kur turneu fillon me të vërtetë”.
Gakpo nuk ishte as titullar i rregullt për PSV-në gjatë Kupës së fundit të Botës, duke u vendosur fillimisht në ekip gjatë edicionit 2019/20. Ai është përmirësuar vazhdimisht që atëherë, duke shënuar numër dyshifror të golave për herë të parë në edicionin 2020/21, përpara se të shënonte 21 gola edicionin e kaluar. Gakpo bëri debutimin për Holandën vetëm vitin e kaluar në “Euro 2020” - një paraqitje të shkurtër si zëvendësues kundër Maqedonisë së Veriut.
Shpërthimi në skenën më të madhe ka ardhur në kohën e duhur për ekipin e Van Gaalit, me lojtarin kryesor Memphis Depay që nuk ishte në gjendje të luftojë për një vend titullari shkaku i lëndimit. Holanda po shpreson se Gakpo dhe Depay mund të vazhdojnë të shkëlqejnë në bashku në sulm edhe ndaj SHBA-së, pas paraqitjes së mirë që e patën të martën kundër Katarit. Depay ishte titullar në këtë ndeshje dhe u përshtat shumë mirë me Gakpon si partner të sulmit.
“Gakpo është shumë i rëndësishëm për ekipin tonë, pasi tashmë ka treguar vlerat e tij në këtë turne. Shpresojmë që të vazhdojë me këtë formë në mënyrë që të na dërgojë sa më larg që të jetë e mundur. Ne presim shumë prej tij në këtë fazë”, shtoi mesfushori Teun Koppmeiners.
Do të ishte një vendim i madh për Gakpon që të largohej nga PSV-ja në mes të sezonit, pasi është pjesë e këtij klubi prej moshës tetëvjeçare. Por me çdo gol që shënon në Katar, duket më e mundshme që e ardhmja e tij të jetë larg Eindhovenit.
“Kisha pritur pak a shumë se ai do të evoluonte në këtë mënyrë, por besoj se ai do të evoluojë edhe më tej, shumë më tej, kështu që nuk jam i befasuar nga performancat e tij”, tha Van Gaal.
Tani për tani Gakpo është i fokusuar në përmbushjen e ëndrrës së Holandës për të triumfuar përfundimisht në Kupën e Botës pas tri humbjeve të mëparshme në finale.
“Duam të fitojmë çdo ndeshje, njërën pas tjetrës, sepse synimi ynë është të jemi kampionë bote”, tha Gakpo, i cili ka shënuar me kokë, me këmbën e majtë dhe me të djathtën në turne. “Ne po punojmë shumë për këtë. Është gjithmonë e rëndësishme të shënosh, sigurisht, por jam i lumtur ta ndihmoj skuadrën”.