Sport

Hazardi beson se Belgjika ka forcë për ta përballuar presionin

Kapiteni i Belgjikës, Eden Hazard thotë se janë në gjendje për t’iu përgjigjur pozitivisht presionit të madh të ndeshjes vendimtare kundër Kroacisë të enjten. Ai ka thënë se kanë pasur një takim të hënën dhe janë zotuar se do ta japin maksimumin ndaj Kroacisë.

Ai ka mohuar se ka mosmarrëveshje në kampion e Belgjikës.

“Gjithçka që është thënë ka qenë marrëzi. Ishte vetëm një takim i mirë mes lojtarëve. Mund t’u them se me atë që kemi diskutuar në takim, do të kemi njëmbëdhjetë luftëtarë, madje 23. Ne e dimë se duhet të bëjmë më mirë. Nuk i përmbushëm pritshmëritë e publikut dhe gazetarëve. I kemi thënë vetes se duhet të fitojmë dhe të luajmë mirë. Ju premtoj se do të jemi bashkë. Do ta bëjmë më të mirën për njëri-tjetrin”, ka thënë Hazard të martën në konferencë për media.

Belgjika është në vendin e tretë në grupin F me tri pikë, ndërsa nga një pikë më shumë kanë Kroacia dhe Maroku.