Sport

Fuellkrug po e udhëheq Gjermaninë në Kupën e Botës

Niclas Fuellkrug - Gjermania - Boterori 2022 ne Katar

Sulmuesi Niclas Fuellkrug ishte duke shënuar gola në divizionin e dytë të Gjermanisë një vit më parë. Tani ai po shënon në kupën e botës “Katari 2022”.

“Kjo është pikërisht ajo për të cilën Niclas është këtu me ne në Katar”, tha shoku i skuadrës, Thomas Mueller, pasi goli i vonshëm i Fuellkrugut i nxori një barazim 1:1 Gjermanisë ndaj Spanjës në Grupin E, të dielën.

Pikërisht një vit më parë, Fuellkrug shënoi kur Werder Bremeni humbi 2:1 në Holstein Kiel në Bundesliga 2. Ka qenë një ngritje e jashtëzakonshme për 29-vjeçarin Fuellkrug, i cili tani ka dy gola për Gjermaninë në tri paraqitje. Debutoi dy javë më parë në një ndeshje miqësore para Kupës së Botës kundër Omanit.

“Jam i lumtur që po bëj emër këtu, që mund të lë gjurmë menjëherë, që mund ta ndihmoj ekipin”, tha Fuellkrug, i cili beson se Gjermania do të avancojë nga faza e grupeve. “Shpresoj se do të vijnë edhe disa gola tjerë në këtë turne”.

Të paktë janë ata jashtë Gjermanisë që e njohin mirë këtë sulmues. Por tifozët më të zjarrtë të Bremenit apo Bundesligës e njohin sa duhet. Ai ishte anashkaluar për ekipin A pasi bëri paraqitjen e fundit për U20 të Gjermanisë në vitin 2014. Por udhëhoqi Bremenin drejt kthimit në elitë sezonin e kaluar dhe vazhdoi me 10 gola në 14 ndeshje të Bundesligës këtë sezon, më shumë se çdo gjerman tjetër. Trajneri Hansi Flick dëgjoi thirrjet e tifozëve për të përfshirë qendërsulmuesin në ekipin prej 26 lojtarësh për Kupën e Botës.

“Ekipi më priti me një karakter kaq të mirë, siç e kam përjetuar rrallë më parë”, tha Fuellkrug. "Pra, nuk ishte e vështirë për mua të hyja në ekip. Krahas stërvitjes edhe në lojë gjërat kanë shkuar shumë mirë”.

Fuellkrug po tregohet shumë i afërt edhe me shokët e tij të rinj, të cilët kanë vetëm lëvdata për të.

“Është një super djalë dhe një super lojtar, me të vërtetë”, tha kapiteni i Gjermanisë, Manuel Neuer. “Ai sjell një freski në skuadër pavarësisht moshës. Ai është gjithmonë pozitiv, gjithmonë ecën përpara dhe kjo është ajo që na nevojitet. Ai është një lojtar i rëndësishëm i ekipit”.

Neuer bëri paraqitjen e 18-të në Kupën e Botës për t’u barazuar me Claudio Taffarelin e Brazilit dhe Sepp Maierin e Gjermanisë. Por e gjithë vëmendja pas ndeshjes me Spanjën ishte te Fuellkrug për golin e tij që tashmë ka rritur moralin e ekipit.

“Ai gjuajti me shumë besim dhe kjo ishte një shenjë e qartë për të gjithë ne”, tha Neuer.

Fuellkrug, i cili ka luajtur më shumë ndeshje në kategorinë e dytë të Gjermanisë sesa në Bundesligë, mbeti modest pas golit të tij të parë në Kupën e Botës.

“Jam shumë i qetë në këto situata, sepse nuk është goli i parë që kam shënuar, as goli i parë i rëndësishëm që kam shënuar”, tha Fuellkrug. “Ne tashmë po përgatitemi për ndeshjen e radhës, sepse goli i shënuar nga unë nuk do të na bëjë punë nëse nuk i mbijetojmë fazës së grupeve”.

Gjermania luan me Kosta-Rikën në ndeshjen e fundit të Grupit E në stadiumin “Khalifa International” në Al-Rayyan” të enjten. I duhet një fitore për të qëndruar në garë për fazën eliminatore.

Gjermania mund të kualifikohet me fitore nëse Spanja mposht Japoninë në ndeshjen tjetër të grupit.