Sport

Mundësia e fundit për brezin e artë “shumë të vjetër” të Belgjikës në Kupën e Botës

Descriptive Text

Skuadra shumë e lavdëruar e Belgjikës ka një shans të fundit për të zgjatur qëndrimin në Kupën e Botës, pasi pësoi humbje nga Maroku. Trajneri Roberto Martinez dhe lojtarët e tij janë nën presion në rritje.

Çdo gjë tjetër përveç fitores kundër Kroacisë të enjten mund ta shohë skuadrën e renditur në pozitën e dytë në botë të kthehet në shtëpi pas fazës së grupeve. Kevin De Bruyne tha në një intervistë para humbjes 2:0 ndaj Marokut se ekipi i tij ishte “shumë i vjetër” dhe nuk ka “asnjë shans” për të fituar Kupën e Botës. Trajneri Martinez këmbënguli pas ndeshjes se mund të kishte qenë një “mashtrim i dyfishtë” nga ylli i Manchester Cityt, por nëse ai do të ishte serioz do të kishte qenë e vështirë të mos pajtohej bazuar në paraqitjet në Katar deri më tani. Spanjolli Martinez është bazuar kryesisht te lojtarët me përvojë që kanë arritur të paktën në çerekfinale në secilin nga katër turnetë e fundit të mëdhenj. Në ndeshjen kundër Marokut dhe fitoren fatlume 1:0 ndaj Kanadasë, Belgjika u dominua thuajse në çdo aspekt në fushë dhe nuk ofroi asnjë kërcënim real.

Mungesa e golashënuesit Romelu Lukaku për shkak të lëndimit ka qenë goditje. Por inkuadrimi i tij i vonshëm kundër Marokut erdhi nga dëshpërimi, kurse lojtari i Interit ofroi shumë pak. Gjashtë vjetët e fundit kanë dhënë periudhën më të mirë në historinë e Belgjikës, me vendin e tretë në Kupën e Botës 2018 në Rusi. Dhjetë nga 14 lojtarët që u paraqitën në humbjen gjysmëfinale nga Franca, katër vjet më parë, janë ende në skuadër.

Shtatë nga njëmbëdhjetë startuesit kundër Marokut janë në të 30-tat: Thibaut Courtois, Jan Vertonghen, Toby Alderweireld, Thomas Meunier, Axel Witsel, De Bruyne dhe kapiteni Eden Hazard. Stili sulmues i lojës së “Djajve të Kuq” është zhdukur, pasi e kaluan fazës kualifikuese për Botëror të pamposhtur. Shtypi belg ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj ekipit, me sajtin “HLN” duke thënë se në ekip “duhet të ketë gjak të ri”.

“Në ndeshjen e fundit duhet të luajmë për të fituar dhe sikur të mos kemi asgjë për të humbur”, tha ai.

"Nëse fitojmë kundër Kroacisë ne jemi ende në Kupën e Botës dhe ky është një motiv i madh”.

Kapiteni Hazard mendon se shanset më të mira të Belgjikës për t'u bërë kampione bote kishin qenë më herët dhe tashmë janë zhdukur. Ka pasur thashetheme për atmosferë të keqe në skuadër, me Vertonghenin që duket se është prekur shumë nga komentet e 31-vjeçarit De Bruyne.

“Shumë gjëra më kalojnë në mendje tani, por ato janë gjëra që më mirë të mos thuhen në kamera”, tha Vertonghen. “Ndoshta ne sulmojmë keq sepse sulmuesit janë shumë të vjetër”.

Martinez pranoi se lojtarët e tij po luanin “pa gëzim” dhe me “frikë për të humbur” në dy ndeshjet e para të turneut të Katarit. Ai ka lënë shumë talente dhe më të rinj të ulur në stol. Leandro Trossard i Brightonit, i cili ka shënuar shtatë gola në Premier League këtë sezon, u shfaq vetëm si zëvendësues në pjesën e dytë kundër Kanadasë dhe Marokut. Hazard i nisi të dyja ndeshjet, por është një hije e lojtarit që ishte para se të largohej nga Chelsea për në Real Madrid në vitin 2019. Mbrojtësit veteranë Vertonghen dhe Alderweireld, që tani luajnë futboll në kampionatin belg, janë të preferuar para qendërmbrojtësit të Leicesterit, Wout Faes dhe Arthur Theate të Rennesit. Mesfushori 33-vjeçar, Witsel ka pasur vështirësi në të dyja ndeshjet, por këmbët e reja të Youri Tielemans dhe Amadou Onana ende nuk janë bashkuar në mesfushë.

Martinez ka treguar se nuk do të bëjë ndryshime të mëdha as për ndeshjen e tretë dhe tha se ai e largoi Hazardin të dielën - për 35-vjeçarin Dries Mertens - për ta mbajtur të freskët për sfidat që do të vijnë. Humbja eventuale nga Kroacia do të ishte fundi i një epoke për futbollin belg.

“Jemi të motivuar dhe nuk kemi tjetër opsion veç fitores. Kjo është e sigurt dhe lojtarët tashmë e kanë parasysh”, shtoi Martinez të hënën.