Sport

Flamujt palestinezë valëviten në Kupën e Botës, simbolet izraelite fshihen

Flamujt palestineze ne Katar 2022

Flamujt palestinezë po valëviten kudo në Katar, derisa tifozët izraelitë po qëndrojnë të qetë. Konflikti izraelito-palestinez po ndjehet në Kupën e parë të Botës në tokën arabe.

Pavarësisht lëvizjeve të disa vendeve arabe, duke mos përfshirë Katarin, për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, kauza palestineze po përqafohet nga shumë tifozë arabë dhe disa zyrtarë.

Kundërshtimet e ashpra midis tifozëve arabë dhe mediave izraelite janë bërë virale, duke përfshirë pamjet e xhiruara të një fansi saudit që qorton një reporter televiziv izraelit. Ajo pamje është parë më shumë se 5.2 milionë herë në Twitter.

“Ka vetëm Palestinë, nuk ka Izrael... ju nuk jeni të mirëpritur këtu”, i bërtet tifozi Moav Vardit, një reporter i transmetuesit publik izraelit.

Tifozët arabë që vërshuan Katarin, kanë refuzuar të flasin me mediat izraelite. Ndërsa disa bërtasin "Rroftë Palestina" para kamerave televizive izraelite.

“Ne e kemi shumë të vështirë të punojmë këtu”, tha Vardi, duke shtuar se ai e kuptonte zemërimin arab.

Shumë banorë të Katarit kanë vendosur flamurin palestinez pranë stemës së tyre kombëtare, të varur nga dritaret e makinave të tyre luksoze. Disa banorë nga Katarit të ulur në një seksion VIP të stadiumit, kanë mbajtur shirita në krahë që tregojnë kapelën palestineze, ndërsa kënga palestineze “Ali Al-Keffiyeh” lëshohet rregullisht në zonat e tifozëve.

“Disa të huaj nuk e njohin flamurin palestinez dhe na pyesin për të”, tha Yahya Abu Hantash, një palestinez 33-vjeçar që jeton në Doha dhe në çdo ndeshje shkon me fanellë të Katarit dhe flamur të Palestinës. “Kjo është një mundësi e artë për të prezantuar kauzën tonë”.

Katari nuk ka marrëdhënie me Izraelin dhe mbetet një mbështetës i kauzës së gjatë palestineze për shtetësi. Doha zyrtare mbështet Hamasin, grupin islamik palestinez që sundon Rripin e Gazës dhe ofron ndihmë jetike financiare për banorët e enklavës bregdetare të bllokuar nga Izraeli që nga viti 2007. Katari kritikoi lëvizjet e vendeve të tjera arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Marokun, për të normalizuar marrëdhëniet në vitin 2020. Ndërsa simbolet palestineze janë të kudondodhura, një tifoz izraelit, që u prezantua me emrin Haim, tha se ky ishte Botërori i tij i katërt. Por i pari ku nuk ka sjellë flamurin e shtetit të tij.

“Ndihem sikur po shikoj Kupën e Botës i maskuar. Atmosfera ndaj nesh është armiqësore”, tha Haim.

Qeveria izraelite këshilloi tifozët e futbollit që të fshehin “simbolet” hebreje si pjesë e fushatës së saj “Kupa e Botës së Sigurt”.

Haim, 57 vjeç, erdhi me dy djemtë e tij në një fluturim çarter nga aeroporti i Tel Avivit. Rreth 10,000 izraelitë janë në Katar për turneun e futbollit, sipas diplomatit Alon Levy i cili ishte në Doha për të organizuar mbulimin konsullor. FIFA përshëndeti një marrëveshje që lejon palestinezët dhe izraelitët të udhëtojnë në Katar me fluturime speciale çarter nga Tel Avivi, si një platformë “për të përmirësuar marrëdhëniet në të gjithë Lindjen e Mesme”. Katari këmbënguli që palestinezët të lejohen të udhëtojnë me izraelitët si kusht për lejimin e fluturimeve direkte, të cilat do të ndalen pas finales së Kupës së Botës më 18 dhjetor. Zyrtarët treguan se nuk kishte palestinezë në dy fluturimet e para direkte, megjithëse disa pritet të fluturojnë në të tretin, të martën.

Një zyrtar palestinez, i cili kërkoi anonimitetin, tha se askush nuk foli për marrëveshjen e fluturimeve me Autoritetin Palestinez, i cili është i vendosur në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

“Lajmin e mësuam nga televizioni”, pranoi ai.

Izraeli ka pushtuar territoret palestineze të Jerusalemit lindor dhe Bregun Perëndimor që nga Lufta gjashtëditore e vitit 1967 me kombet arabe. Shumica e palestinezëve shkojnë në Katar përmes Jordanisë ose Egjiptit, pasi Izraeli kufizon ashpër hyrjen në aeroportin e Tel Avivit, tha zyrtari.

Rreth 250,000 palestinezë jetojnë në Katar, i cili ka një popullsi prej rreth 2.9 milionë banorësh, shumica prej tyre të huaj.

Suhaib Al-Issa, një jordanez 16-vjeçar, tha se valëvitja e flamurit ishte një shenjë e “rezistencës paqësore për ta shprehur refuzimin tonë të normalizimit me një vend që pushton Palestinën”. Qeveria e Katarit nuk komentoi mbi trajtimin e shtetasve izraelitë gjatë Kupës së Botës.