Sport

Gana është gati për Korenë e Jugut, pavarësisht disfatës në ndeshjen hapëse

Gana ne Boterorin 2022 ne Katar

Përzgjedhësi i Ganës, Otto Addo, ka qenë i impresionuar me Heung-Min Sonin qëkur e kishte udhëhequr sulmuesin e Koresë së Jugut në nivelin e të rinjve.

Të dy do të ribashkohen të hënën kur Gana takohet me Korenë e Jugut në Grupin H në Kupën e Botës, në “Education City Stadium” nga ora 14:00.

Addo kishte punuar për klubin gjerman, Hamburg, kur për herë të parë e kishte takuar Sonin, të cilin e kishte rekomanduar për ekipin e parë.

“Ai është shumë, shumë i disiplinuar. Kështu ai u bë kaq i mirë, ka punuar shumë fort për këtë. Është ajo për të cilën kam shpresuar dhe e kam pritur”, ka thënë Addo të dielën.

Ai vazhdoi me një buzëqeshje: “Gjithmonë i kam uruar atij më të mirën, përveç nesër”.

Son dhe jugkoreanët sfiduan Uruguain në ndeshjen hapëse të grupit të fortë H, dhe barazuan 0:0.

Soni e ka “personifikuar” trimërinë, duke mbajtur maskë mbrojtëse për thyerjen që e pati në një asht afër syrit të majtë dhe u përshëndet nga tifozët që mbanin maskat e “Batmanit”. Ai u lëndua duke luajtur për Tottenhamin më 2 nëntor në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Marseilleit dhe u kthye stërvitje pak para nisjes së Botërorit.

“Nuk është diçka për t’u shqetësuar pasi i qetë është edhe Soni. Ai së fundmi ishte lënduar dhe është munduar të ndihet rehat me maskën në fytyrë”, ka thënë përzgjedhësi i Koresë së Jugut, Paulo Bento. “Ai duhej të ndihej i qetë me bashkëlojtarët dhe me kundërshtarët e tij”.

Bento ka thënë se futbollisti i krahut, Hee-chan Hwang, ka pasur telashe me zgjatje të muskulit dhe se nuk do të mund të luajë kundër Ganës.

Addo, i cili luajti për Ganën, është një nga pesë trajnerët afrikanë që udhëheqin pesë përfaqësueset afrikane në Kupën e Botës në Katar. Ai i bashkohet Rigobert Songut të Kamerunit, Aliou Cisses së Senegalit, Walid Regraguit të Marokut dhe Jalel Kadrit të Tunizisë.

“Mendoj se është një hap i madh për Afrikën. Në vitet e mëparshme nuk ka pasur kaq shumë trajnerë, kështu që është detyrë e madhe për Afrikën të zhvillojë më shumë trajnerë – jo vetëm për t’i udhëhequr ekipet afrikane, por për t’i udhëhequr edhe ekipet e tjera, ekipet në Evropë, dhe mendoj se bota është në mungesë të kësaj”, ka thënë Addo.

Gana hyn në ndeshjen e së hënës kundër Koresë së Jugut pas disfatës që e pësoi nga Portugalia 3:2 në takimin e parë.

Të pesë shtetet afrikane kanë qenë pa fitore në ndeshjet e para të grupit, por Tunizia u këndell me fitore ndaj Katarit në duelin e dytë. Fitoi edhe Maroku.

“Të gjithë kanë shanse, disa më shumë e disa më pak, por shpresoj dhe po lutem që të paktën një apo disa ekipe afrikane të avancojnë në raundin tjetër”, ka thënë Addo, që ka luajtur për Ganën në paraqitjen e parë në Kupën e Botës në vitin 2006.

Në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, Gana u bë shteti i tretë afrikan që shkoi deri në çerekfinale. Asnjë skuadër afrikane nuk ka shkuar në gjysmëfinale të turneut më të madh të futbollit.

“Yjtë e Zinj” janë skuadra më e re në Kupën e Botës me moshë mesatare prej 24 vjet e 4 muaj. Kështu që ishte inkurajuese përballja me Portugalinë dhe Cristiano Ronaldon, penalltia e të cilit në minutën e 65-të, bëri që të jetë futbollisti i parë që shënon në pesë edicione të ndryshme të Kupës së Botës.

Addo kishte thënë se penalltia ishte “dhuratë e veçantë nga gjyqtari”, por të dielën ai tha se është i vendosur për të vazhduar tutje.

“I takon të kaluarës”, tha ai. “Ka shkuar. Ka mbaruar. Ne nuk mund ta ndryshojmë”.

Kapiteni veteran, Andre Ayew dhe Osman Bukari, shënuan për Ganën kundër Portugalisë. Ayew po ashtu ishte pjesë e ekipit të Ganës që shkoi në çerekfinale të Kupës së Botës 2010. Gana u eliminua në fazën grupore të turneut të vitit 2014, dhe nuk u kualifikua për Botërorin 2018 në Rusi.

“Natyrisht se ne jemi të vetëdijshëm se ata kanë lojtarë me kualitet të lartë. Andre Ayew është një prej tyre, me kaq shumë eksperiencë në kaq shumë vite”, tha Bento. “Natyrisht se duhet t’i neutralizojmë këta lojtarë të mirë dhe ai ka shumë aftësi dhe eksperiencë. Por ne duhet të luajmë kundër Ganës si kolektiv”.