Sport

Gjermania synon ta shmangë eliminimin e hershëm

Disfata befasuese në ndeshjen hapëse ka bërë që Gjermania të hyjë në ndeshjen e dytë në kërkim të fitores, për ta shmangur eliminimin e dytë të hershëm në Kupën e Botës.

Keq për Gjermaninë që luan kundër Spanjës.

Spanja në ndeshjen hapëse fitoi 7:0 kundër Kosta-Rikës, që ishte triumfi më i thellë i turneut të këtij viti. Ishte edhe fitorja me shifrat më të larta për “La Rojan” në një kupë të botës dhe fitorja e parë në ndeshjen hapëse që prej vitit 2006.

Gjermania duhet të koncentrohet në fatin e saj për ta shmangur edhe disfatën e tretë rresht në një kupë të botës. Para eliminimit të hershëm të Gjermanisë në vitin 2018, ekipi i meshkujve nuk ka dështuar ta kalojë fazën e grupeve në këtë skenë që prej vitit 1938.

Katër herë fituesi i Kupës së Botës u mposht 2:1 nga Japonia të mërkurën. Spanja dhe Japonia prijnë në Grupin E me tri pikë secila, derisa Gjermania dhe Kosta-Rika nuk kanë asnjë pikë.

Ndeshja Spanja – Gjermania luhet në orën 20:00 në stadiumin “Al Bayt”.

“Jemi optimistë”, ka thënë përzgjedhësi gjerman, Hansi Flick, të shtunën. “Duhet të jemi të guximshëm dhe të besojmë në kualitetin tonë. Ne duam të vazhdojmë me lojën tonë, sepse kemi kualitet. I besojmë ekipit. Kemi sinjale pozitive dhe duam që t’i qasemi ndeshjes ndaj Spanjës të dielën në mënyrë pozitive. Është thjesht e rëndësishme për t’u përballur me humbje, por duhet të jemi të qetë në kokë dhe të fokusohemi në detyrën e radhës dhe ky është qëllimi ynë, ta dërgojmë ekipin në një pikë ku ata besojnë natyrshëm se mund t’i shtyjnë gjërat në drejtimin e duhur të dielën”.

Spanja, ndërkohë, e ka humbur vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit kundër Gjermanisë. Ky do të jetë takimi i tetë i ndërsjellë në Kupë të Botës, dhe Spanja e ka fituar të fundit 1:0 në gjysmëfinale të turneut të vitit 2010.

Spanja ishte shumë dominuese kundër Kosta-Rikës dhe posedimi i topit prej 81.9% ka qenë më e madhja në një Kupë të Botës që prej Botërorit 1966, kur shërbimet e “Opta”, kanë nisur të sigurojnë të dhëna. Rekordi i mëhershëm ishte vendosur nga Argjentina në vitin 2010 me 80.3% të posedimit të topit.

Spanja vetëm tri herë i ka fituar dy ndeshjet e para në Kupë të Botës. Përzgjedhësi Luis Enrique ka kërkuar nga grupi që të jetë me besim të plotë.

“Kundër një skuadre si Gjermania nuk mund të kemi besim të tepruar, sepse do të na mposhtin”, ka thënë Luis Enrique. “Është një rival që kërkon gjithë vëmendjen dhe përpjekjen tonë. Do të jetë sfidë e madhe për ne”, është shprehur Luis Enrique.