Sport

Magjia e Messit mban Argjentinën në lojë

Descriptive Text

Një magji e Lionel Messit në pjesën e dytë ka bërë që Argjentina të mbetet në lojë për ta kaluar fazën e grupeve të Kupës së Botës në Katar.

Gol të shkëlqyer shënoi edhe Enzo Fernandez.

Messi me Argjentinën të shtunën mbrëma fituan përballë Meksikës me rezultatin 2:0.

Angel Di Maria pasoi për Messin në minutën e 64-t, i cili ndali topin dhe gjuajti me të parën dhe e dërgoi topin prapa shpinës së portierit Guillermo Ochoa.

Gol të bukur shënoi edhe zëvendësuesi Fernandez. Fernandez pranoi topin nga Messi, u shmang nga një mbrojtës, dhe për mrekulli plasoi topin në rrjetë në minutën e 87-të.

Kjo ndeshje i takoi Grupit C të fazës grupore të Botërorit.

Grupit C i prin Polonia me katër pikë në dy ndeshje.

Argjentina dhe Arabia Saudite në vendin e dytë dhe të tretë kanë nga tri pikë, ndërsa Meksika mbetet në vendin e fundit me një pikë.

Në ndeshjen e fundit, Argjentina luan me Poloninë. Arabia Saudite takohet me Meksikën.


Edhe një gol i bukur, Argjentina afër fitores

Edhe zëvendësuesi Enzo Fernandez ka shënuar gol të bukur për Argjentinën që po udhëheqë 2:0 ndaj Meksikës.

Fernandez pranoi topin nga Messi, u shmang nga një mbrojtës, dhe për mrekulli plasoi topin në rrjetë.


Messi me supergol kalon Argjentinën në epërsi

Lionel Messit iu desh një moment magjie për ta kaluar Argjentinën në epërsi ndaj Meksikës në ndeshjen e dytë të Grupit C.

Messi në minutën e 64-t, me gjuajtje përtokë, e la pa asnjë gjasë për pritje portierin legjendar të Meksikës, Guillermo Ochoan.

Gëzimi ishte shumë i madh në fushë e në tribuna.


 S’ka gola në pjesën e parë mes Argjentinës dhe Meksikës

Pa gola ka përfunduar pjesa e parë e takimit mes Argjentinës dhe Meksikës.

Ky 45-minutësh u karakterizua me lojë të kujdesshme nga të dyja skuadrat.

Lautaro Martinez i Argjentinës pati një gjysmë-rast, ndërsa Meksiko rrezikoi me Alexis Vegan nga gjuajtja e lirë.


Nis ndeshja Argjentina – Meksika

Image

Ka nisur ndeshja mes Argjentinës dhe Meksikës, e vlefshme për Grupin C të Kupës së Botës.

Argjentina e udhëhequr nga Lionel Messi kërkon fitoren pas humbjes befasuese nga Arabia Saudite. Çdo rezultat tjetër do t’i minimizonte gjasat për kalim tutje.

Meksika ndërkohë ka një pikë.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Polonia mposhti 2:0 Arabinë Saudite.