Argjentina nën presion, kërkon fitoren kundër Meksikës

Një këngë e tifozëve të Arabisë Saudite, disa prej tyre nga Brazili, në parqet e tifozëve dhe rrugët e Dohas në Kupën e Botës, ka bërë bujë të madhe.
“Ku është Messi?”, pyesin ata në arabisht, duke përdorur edhe një shprehje që do të thotë të turpërosh një person.
Messi dhe ekipi i Argjentinës janë bërë objekt i talljes pas humbjes 2:1 nga Arabia Saudite. Plotësisht pa pritur ai rezultat e ka rrezikuar herët kalimin e Argjentinës në fazën e dytë.
Argjentina duhet të rikthehet menjëherë te fitorja kundër Meksikës të shtunën, përndryshe e pret një largim i hershëm dhe i turpshëm nga Botërori.
Dueli mes Argjentinës dhe Meksikës zhvillohet të shtunën prej orës 20:00 dhe i takon Grupit C.
Një bashkatdhetar, përkatësisht ish-trajner i i ekipit, mund ta japë goditjen fatale për Argjentinën. Gerardo Martino udhëhoqi Argjentinën nga viti 2014 deri në vitin 2016, duke humbur në finalen e Kupës së Amerikës dy herë rresht, përpara se të largohej. Tani Martino është trajneri i Meksikës dhe kërkon ta udhëheqë skuadrën meksikane në 1/8 e finales - ndoshta në kurriz të Argjentinës.
Meksika e ka humbur ndeshjen e fazës eliminatore në secilën nga shtatë Kupat e Botës së fundit, dy herë nga Argjentina, në vitin 2006 dhe 2010. Këtë herë takimi i skuadrave vjen në fazën e grupeve, por tashmë ka ndjesinë e një ndeshjeje tejet të rëndësishme, vetëm shtatë ditë pas fillimit të turneut. E rëndësishme është veçanërisht për Argjentinën.
“Tani kjo ndeshje do të jetë finale për dy ekipet”, tha Martino, ekipi i të cilit barazoi me Poloninë, 1:1. “Ne kurrë nuk e imagjinonim një skenar si ky, por jemi përgatitur për një rezultat të mirë. Meksikës i duhet një i tillë në këtë duel”.
Kjo është kriza e parë e Lionel Scalonit si trajner i Argjentinës. Ai nuk kishte humbur asnjë ndeshje para se të mposhtej nga Arabia Saudite dhe mbetet për t’u parë se si do të reagojë. Scaloni ka gjasa të bëjë ndryshime të formacion, pasi Cristian Romero, Nahuel Molina, Nicolas Tagliafico, Rodrigo De Paul dhe Leandro Paredes nuk luajtën mirë. Megjithatë, Scaloni është i sigurt për një gjë.
“Ne nuk do të ndryshojmë stilin tonë pas asaj që ndodhi të martën”, tha Scaloni. “Ne do të luajmë në të njëjtën mënyrë”.
Seria e Argjentinës prej 36 ndeshjesh pa humbje përfundoi me humbjen nga Arabia Saudite dhe Scaloni tha se ishte i përgatitur për të.
“Për një kohë të gjatë gjithçka ishte perfekte për ne. Unë isha i pari që isha gati për atë goditje dhe për fat të mirë erdhi në ndeshjen tonë të parë. Ajo që është e rëndësishme për ne është ta përballojmë çdo ndeshje sikur të jetë e fundit. Një ndeshje mund të humbet, por është mënyra se si rikthehesh, si ngrihesh”.
Meksika nuk e ka mundur Argjentinën në tri përpjekje në Kupën e Botës dhe humbja më e keqe e Martinos si trajner i Meksikës ishte nga ish-ekipi i tij. Ndodhi në shtator të vitit 2019 kur Lautaro Martinez shënoi “hat-trick” në fitoren 4:0.
Argjentina do të përpiqet të fitojë të shtunën me çdo kusht në stadiumin “Lusail”, ku do të luhet edhe finalja e Kupës së Botës më 18 dhjetor.
“Nuk ka asnjë presion sepse ne ende po mbështetemi te vetja”, tha Martinez të premten. Ai ishte pranë trajnerit Scaloni. “Ne kemi besim te stafi teknik, i besojmë çdo lojtari. Ne jemi të qetë, të sigurt dhe të gatshëm”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.