Së pari ishte Lionel Messi. Tani është Robert Lewandowski. Kundërshtarë me emra të mëdhenj vazhdojnë të vijnë për Arabinë Saudite.
Pasi shokuan Messin dhe Argjentinën në një prej befasive më të mëdha në Botërore, “Skifterët e Gjelbër” e kanë kthyer vëmendjen kah Lewandowski dhe Polonia.
Ndeshja Polonia – Arabia Saudite luhet të shtunën nga ora 14:00 në “Education City Stadium” dhe i takon Grupit C.
Arabia Saudite, skuadra e dytë me renditjen më të dobët në turne, mund ta sigurojë edhe kalimin në rundin e dytë me fitore, që do të ishte një e arritur e jashtëzakonshme për një skuadër që nuk ka asnjë futbollist nga kampionatet e tjera, por vetëm në atë vendor.
Ndryshe nga tifozët, përzgjedhësi i Arabisë Saudite, Herve Renard, nuk është duke festuar ende.
“Ndeshja me Argjentinën është një nga tri ndeshjet e rëndësishme të cilat ne duhet t’i luajmë”, ka thënë Renard të premten. “Gjëja e vetme e mirë në fund të kësaj faze grupore është të përfundojmë në vendin e parë apo të dytë. Kështu që çfarëdo të ndodhë, gjëja më e rëndësishme është të kualifikohemi për rundin tjetër”.
Edhe lojtarët që ai drejton po shikojnë para.
“Do të punojmë edhe më shumë sesa në ndeshjen e kaluar”, ka premtuar mesfushori Sami Al-Najei. “Të gjithë e dimë se ndeshja e ardhshme është më shumë e rëndësishme sesa e kaluara”.
Ndeshja “e kaluar” për Arabinë Saudite ishte fitorja 2:1 ndaj Argjentinës, një prej favoriteve të turneut.
“Ishte ndeshje e shkëlqyer për ne. Ne ishim në gjendje të shfaqim imazh të shkëlqyer për Përfaqësuesen e Arabisë Saudite”, është shprehur Saleh Al-Shehri, një prej golashënuesve. “Por janë vetëm tri pikë. Ne ende nuk jemi kualifikuar”.
Golat e Al-Shehrit dhe Salem Al-Dawsarit bënë bujë në hapje të Grupit C dhe lanë rivalët e
tjerë të luftojnë për pikë. Meksika barazoi pa gola me Poloninë.
Ishte ndeshja e katërt e Kupës së Botës për Robert Lewandowskin dhe e katërta pa shënuar gol ashtu.
Portieri veteran i Meksikës, Guillermo Ochoa, e priti penalltinë e Lewandowskit në pjesën e dytë për ta mbajtur rezultatin pa gola.
Shënimi i golave është puna e Lewandowskit, golashënuesit më të mirë të Polonisë me 76 gola. Ai kishte shënuar 312 gola në 384 ndeshje të Bundesligës, para se të transferohej te Barcelona pas përfundimit të sezonit të kaluar. Deri tani ka 13 gola të realizuar në 14 ndeshje të La Ligas për Barcelonën.
Por të shënosh për Poloninë nuk është e lehtë me formacionin 4-3-2-1 të përzgjedhësit Czeslaw Michniewicz.
Lewandowski nuk ka mbajtur asnjëherë ndonjë sekret për preferencën e tij për të luajtur me një partner në sulm dhe jo i vetëm, duke pritur të shërbehet nga bashkëlojtarët.
“Ka rrugë për përmirësime në vazhdim, ne duhet të rrezikojmë më shumë”, ka thënë Lewandowski. “Është shumë vështirë për një sulmues të rrezikojë kur është prapa. Por nëse trajneri ka këtë taktikë, atëherë ne vetëm duhet ta zbatojmë. Natyrisht, si sulmues, dëshiroj të kem më shumë topa”.
Lewandowski ndoshta mund të ketë më shumë nga loja kundër Arabisë Saudite, që mbështetet në portierin Mohammed Al-Owais, i cili në fitoren kundër Argjentinës bëri disa pritje në fund.
Yasser Alshahrani nuk do të luajë për shkak të përplasjes së rëndë me Al-Owaisin në fund të ndeshjes. Nuk është e qartë se sa i rëndë është lëndimi, por përzgjedhësi Herve Renard ka thënë se mbrojtësi u largua nga Doha me “fluturim të veçantë” dhe është operuar të enjten. Ai do të ketë një tjetër procedurë për ta ndjekur për lëndimin në fytyrë.
“Tani ata do të duhet t’i bëjnë edhe disa operime në fytyrë”, ka thënë Renard. “Ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të na mungojë. Ne mendojmë për të dhe do të luftojmë për të”.
Polonia takohet me Argjentinën katër ditë më vonë, ndërsa Arabia Saudite do të ballafaqohet me Meksikën.