Sport

Barazim pa gola i Anglisë me SHBA-në

Anglia e SHBA-ja kanë barazuar pa gola në ndeshjen e tyre të dytë në Kupën e Botës. Ndeshja e së premtes mbrëma i ka takuar Grupit B të Botërorit në Katar.

Rezultati është më i favorshëm për Anglinë që udhëheq në grup me katër pikë. SHBA-ja mbetet e treta me dy pikë.

Më 29 nëntor, Anglia luan me Uellsin, ndërsa SHBA-ja takohet me Iranin.

Në ndeshjen në “Al Bayt Stadium” ka pasur raste nga të dy palët. Amerikanët kanë goditur traversën në pjesën e parë nëpërmjet Christian Pulisic.

Anglia kishte tetë tentime për gol, ndërsa SHBA-ja dhjetë. Gjuajtje në kornizë të portës Anglia kishte tri, ndërsa SHBA-ja vetëm një.


Nuk janë shënuar gola në pjesën e parë të ndeshjes mes Anglisë dhe SHBA-së. Ndeshja ishte e hapur dhe me raste, ndërsa Christian Pulisic i SHBA-së, qëlloi traversën në minutën e 33-të.

Anglia ka rrezikuar seriozisht në fund të pjesës së parë me Mason Mountin, por portieri i SHBA-së mbajti portën e paprekur.


Ka nisur ndeshja mes Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e vlefshme për Grupin B të Kupës së Botës.

Takimi po zhvillohet në stadiumin “Al Bayt”.

Anglia në ndeshjen e parë fitoi ndaj Iranit dhe ka tri pikë, ndërsa SHBA-ja barazoi me Uellsin. Irani sot mposhti Uellsin.