Selektori i Anglisë, Gareth Southgate, ka thënë se ekipi i tij “po rifiton respektin në skenë botërore”, ndërsa po synon kalimin në rundin nokaut të Kupës së Botës në Katar.
“Tre Luanët” do të sigurojnë njërën nga dy pozitat e para në grupin B nëse e mposhtin SHBA-në të premten mbrëma. Ndeshja Angli–SHBA zhvillohet prej orës 20:00.
Nëse kualifikohet, do të jetë hera e katërt rresht që Anglia kalon në fazën nokaut në ngjarjet e mëdha, që kur u ndal në fazën grupore në Kupën e Botës 2014.
“Është periudhë e mirë e futbollit anglez”, ka thënë Southgate të enjten.
“Në nivelin junior, në nivelin senior, me futbollistet, ka shumë gjëra pozitive që po ndodhin. Ndiejmë se mund të jemi garues për shumë vjet në të ardhmen dhe ky është synimi, që të paraqitemi në fazat finale të ngjarjeve të mëdha. Këtë nuk e kemi bërë për shumë vjet. Këta lojtarë po e vendosin vendin në hartë dhe po kthejnë respektin në nivelin global. Duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka shtuar selektori anglez.
Anglia në ndeshjen e parë të grupit B fitoi 6:2 ndaj Iranit. Ndërkohë SHBA-ja, falë një pjese të parë shumë të mirë, barazoi 1:1 me Uellsin.
“Nëse fitojmë, ne kualifikohemi dhe ky është synimi i parë”, ka vazhduar Southgate. “Kemi tri ndeshje për të bërë këtë dhe nëse na duhen të tri ndeshjet, ne jemi gati për këtë. A e kemi mposhtur ndonjëherë SHBA-në në ngjarje të mëdha? Jo, kështu që duhet të provojmë të shkruajmë histori. Ne do të luajmë me motiv të madh dhe kemi shumë respekt për kundërshtarin”, ka theksuar trajneri anglez.
Shumë lojtarë të SHBA-së luajnë në Premier League. Christian Pulisic, Matt Turner, Antonee Robinson, Tim Ream, Brenden Aaronson dhe Tyler Adams janë pjesë e klubeve angleze.
“Mendoj se Southgate ka bërë punë të madhe. Bilanci i tij në ngjarjet e mëdha është i jashtëzakonshëm. Vendi i katërt në Botërorin 2018, vendi i dytë në Euro 2020. Do të jetë vështirë për ne”, ka thënë selektori i SHBA-së, Gregg Berhalter.
Mesfushori i Anglisë, James Maddison, nuk ka ushtruar gjatë javës, por kapiteni Harry Kane është i gatshëm për lojë. Harry Maguire është po ashtu i gatshëm, derisa Kyle Walker mund ta bëjë paraqitjen e parë që nga tetori. SHBA-ja nuk ka telashe me lëndime.
Kjo është përballja e tretë e Anglisë dhe SHBA-së në Kampionate Botërore. SHBA-ja kishte fituar 1:0 në vitin 1950, ndërsa në vitin 2010, Anglia e SHBA-ja kishin luajtur 1:1.
Në të gjitha ngjarjet, Anglia ka fituar tetë prej 11 ndeshjeve me SHBA-në. Ka një barazim e dy humbje.