Sport

Bale ia siguron një pikë Uellsit në rikthimin në Botëror

Uellsi ka pritur gjatë për t’u kthyer në Kupën e Botës. Ka pritur gjatë edhe për të shënuar gol në ndeshjen e parë pas rikthimit. Uellsi të hënën mbrëma barazoi 1:1 me SHBA-në në ndeshjen e grupit B të Botërorit “Katari 2022”. Uellsianët janë kthyer në Botëror pas 64 vjetësh. Ishte kapiteni dhe lideri Gareth Bale që siguroi një pikë për Uellsin. Ai në minutën e 80-të nxori penallti.

E shfrytëzoi maksimalisht përvojën e tij për të siguruar goditjen nga pika e bardhë. Ndërkohë në minutën e 82-të goditi fuqishëm nga pika e bardhë për të barazuar rezultatin në 1:1.

Ndonëse kishte nëntë minuta shtesë, gola të tjerë nuk pati.

Ndeshja i ka takuar Grupit B të Botërorit në Katar dhe u luajt në Al Rayyan para 43 mijë shikuesve. SHBA-ja ka shfaqur shumë më tepër në pjesën e parë, ndërsa kaloi në epërsi në minutën e 36-të. Timothy Weah shënoi gol të bukur me goditje nga zona. Uellsi nuk ka rrezikuar asnjëherë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën u hodh në sulm në tentim për të gjetur golin e barazimit. Atë e gjeti përmes Balet. Pas katër ditës, Uellsi takohet me Iranin, ndërsa SHBA-në e pret punë e vështirë me Anglinë.


Sulmuesi Gareth Bale ishte në hije për kohën më të gjatë në ndeshjen e Uellsit me SHBA-në.

Por Bale në minutën e 80-të siguroi penallti dhe në minutën e 82-të e konkretizoi atë për të barazuar rezultatin në 1:1.

Uellsi ka kërkuar golin e barazimit në pjesën e dytë dhe atë e ka gjetur tashmë përmes lojtarit kryesor të tij.


Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes SHBA-së dhe Uellsit.

SHBA-ja ka dominuar në fushë dhe në pushim ka shkuar me epërsi prej 1:0.

Është kjo ndeshja e fundit e ditës së dytë në Kupën e Botës “Katari 2022”.
 


SHBA-ja ka kaluar në epërsi ndaj Uellsit në ndeshjen e Botërorit “Katari 2022”.

Në minutën e 36-të, për 1:0 ka shënuar Timothy Weah. Ai realizoi gol të bukur.

SHBA-ja ka dominuar deri më tani.

__________________________

Ka filluar ndeshja e Grupit B të Botërorit “Katar 2022” mes SHBA-së dhe Uellsit.

Ndeshja po luhet në stadiumin “Ahmad bin Ali”.

Në ndeshjen tjetër të Grupit B, sot Anglia mposhti 6:2 Iranin.