Sport

SHBA-ja dhe Uellsi synojnë kthim të suksesshëm në skenën e madhe

Gio Reyna, Joe Scally dhe Yusuf Musah ishin 11-vjeçarë kur SHBA-ja luajti për herë të fundit në Kupën e Botës. 3066 ditë pas asaj humbjeje në Brazil, amerikanët kthehen në skenën më të madhe të futbollit me një ekip me pamje të re, që synon suksesin.

Plot me risi, nerva dhe naivitet, këta amerikanë të rinj dalin në fushë ndaj Uellsit të hënën mbrëma për të luajtur ndeshjen për të cilën shumë tifozë në SHBA kanë pritur që nga viti 2014.

“Katër vjet duke punuar për këtë moment. Mendoj se djemtë janë gati”, ka thënë mesfushori Weston McKennie.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka ftuar lojtarët që të ofrojnë kurajë në Botëror.

Për SHBA-në pason ndeshja ndaj Anglisë, të premten, kurse më 29 nëntor është ndeshja kundër Iranit, që e eliminoi SHBA-në nga Kupa e Botës në vitin 1998.

Nga ekipi që ishte eliminuar nga Belgjika në raundin e dytë tetë vjet më parë, te SHBA-ja ka mbetur vetëm mbrojtësi 29-vjeçar, De Andre Yedlin.

Yedlin, Christian Pulisic, Kellyn Acosta dhe Tim Ream janë katër lojtarët e ekipit që dolën në ankth nga fusha pas humbjes dërmuese në Trinidad në tetor të vitit 2017. Ajo humbje i dha fund paraqitjes së rregullt të SHBA-së në Botëror.

McKennie debutoi një muaj më vonë së bashku me Cameron Carter-Vickers dhe Tyler Adams, që u zgjodh kapiten të dielën, në moshën 23-vjeçare. Plot 118 lojtarë u provuan gjatë 68 ndeshjeve të një cikli kualifikues për Botëror, duke përfshirë 91 prej se Gregg Berhalter u zgjodh selektor në dhjetor të vitit 2019. Ai ua mundësoi debutimin 56 lojtarëve. Me mesatare prej 25 vjet, SHBA-ja ka ekipin e dytë më të ri në Katar, pas Ganës.

Forma e shumë prej lojtarëve do të jetë në kulm katër vjet më vonë.

“Ne duam të ndërtojmë diçka të rëndësishme për vitin 2026, por gjithçka fillon tani”, ka thënë Berhalter.

Ndërkohë Uellsi ka pritur shumë më gjatë për kthim në skenën e Botërorit, plot 64 vjet. Skuadra e Rob Page do të luaj ndeshjen e parë në Botëror që nga viti 1958. Tifozët e Uellsit kanë udhëtuar për të festuar në Katar.

Gareth Bale do ta udhëheqë Uellsin në ngjarjen kulmore.

“Është me gjasë nderimi më i madh që mund t’i bëjmë vendit tonë. Është diçka që nuk është arritur për 64 vjet”, ka thënë Bale. “Është historike për vendin tonë. Mësimi do të ndërpritet për të parë ndeshjet tona. Është gjë e madhe për vendin tonë dhe diçka që e kemi synuar për kohë të gjatë”, ka shtuar Bale.

Asnjë vend nuk ka pritur kaq gjatë për paraqitjen e radhës në Kupën e Botës.