Golden Eagle Ylli të mërkurën prej orës 19:00 është dashur të takohet me Tiranën në kuadër të Ligës Unike në basketboll. Por të martën mbrëma klubi suharekas lëshoi njoftimin se ndeshja nuk do të zhvillohet për “shkaqe organizative”.
Në fakt anulimi i ndeshjes nuk ka të bëjë me shkaqe organizative të Yllit, klubit kampion të Kosovës. Ka të bëjë me qëndrimin e klubeve nga Shqipëria, por edhe me organizimin fare inferior të tyre në krahasim me klubet e basketbollit nga Kosova.
Derisa basketbolli në Kosovë është në kulm sa i takon interesimit të shikuesve, basketbolli në Shqipëri vazhdon të ketë nivel inferior. Dhe numri i atyre që vlerësojnë se zhvillimi i kësaj lige po e humb kuptimin, sa shkon e rritet.
KOHA ka mësuar se të paktën edhe një ndeshje tjetër e xhiros së parë mund të shtyhet.
Në fakt një ndeshje e Ligës Unike, ajo mes Pejës e Ponte Prizrenit, u zhvillua ende pa u tërhequr shorti. Dhe në short u përfshi Apolonia, ndonëse për kohë të gjatë ishte paralajmëruar pjesëmarrja e Vllaznisë së Shkodrës.
Derisa klubet nga Kosova i janë qasur me seriozitet Ligës Unike, ky nuk ishte rast me klubet nga Shqipëria. Ndoshta për shkak të nivelit organizativ të tyre.
Tek Ylli kanë shprehur keqardhje për moszhvillimin e ndeshjes me Tiranën.
“Ndeshjet nuk po zhvillohen sepse ekipet nga Shqipëria i kanë disa mosmarrëveshje me federatën e tyre”, ka thënë Egzon Fetiu, drejtor sportiv i Yllit. Ai megjithatë nuk beson se Liga Unike rrezikohet. Thotë se FBK-ja është angazhuar maksimalisht që kjo ligë e ekipeve nga Kosova e Shqipëria të vazhdojë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.