Sport

Faza e shkurtër përgatitore për Botëror paraqet sfidë dhe teston trajnerët

Futbollistët më të mirë kanë ndjekur një program të duhur para turneut të mëparshëm të Kupës së Botës. Përfunduan sezonin me klubet e tyre. Bënë një pushim me miqtë dhe familjen. U bashkuan me përfaqësuesen. Kaluan dy ose tri javë duke u njohur me shokët e skuadrës, duke punuar në stërvitje dhe duke luajtur disa ndeshje ngrohjeje përpara fillimit të madh.

Këtë herë për lojtarët nuk ekziston ky program. Risi e këtij botërori unik në Katar - i pari në Lindjen e Mesme dhe i pari që do të luhet në mes të sezonit tradicional të futbollit evropian - është edhe përgatitja e cunguar e ekipit për turne. Një javë. Për disa lojtarë, edhe më pak se kaq.

“Ne fluturojmë për në Katar më 15 nëntor, arrijmë më 16 nëntor, pastaj kemi pesë ditë për t'u përgatitur për ndeshjen e parë”, tha Tony Strudwick, kreu i performancës tek Uellsi. “Është një sfidë se si ne i bashkojmë të gjitha këto”.

Strudwick ka detyrën vendimtare për t'i sjellë lojtarët e Uellsit në formë të mirë - fizikisht, por edhe mendërisht - për ndeshjen e parë të uellsianëve në Kupën e Botës për 64 vjet, e cila do të jetë kundër SHBA-së më 21 nëntor. Nga njëra anë ai është i emocionuar për lojtarët që janë në “ritëm të mirë” në mes të një sezoni. Nga ana tjetër ai dhe pjesa tjetër e stafit të Uellsit nuk kanë kontroll mbi formën e skuadrës.

Disa lojtarë kanë luajtur pothuajse tri ndeshje në javë në dy muajt e fundit. Të tjerë mund të kenë pasur vështirësi për të luajtur në klubet e tyre.

"Ne nuk mund t'i telefonojmë klubet dhe t’u themi: ‘Ne kemi nevojë për lojtarët që të luajnë kaq minuta’. Ne nuk mund ta diktojmë këtë, ndaj duhet të jemi të shkathët në planifikimin tonë”, insistoi Strudwick. “Ne kemi nevojë vetëm për plane emergjente në Botëror dhe asgjë tjetër”.

Lojtarët e Botërorit duhej të liroheshin nga detyrat në klub nga e hëna. Ndeshja e parë e turneut është mes nikoqirit Katarit dhe Ekuadorit, të dielën.

Mënyra se si një ekip përgatitet gjatë këtyre pak ditëve përpara se të fillojë gara në grup varet kryesisht nga koha kur zhvillohet ndeshja e parë, me grupin e parë të ndeshjeve të shpërndara në pesë ditë. Brazili dhe Serbia kanë kohën më të gjatë të përgatitjes duke pasur parasysh se i luajnë ndeshjet më 24 nëntor. Lars Lagerback ka qenë trajner në tri Kupa Botërore me dy përfaqësuese, me atë të vendlindjes së tij, Suedisë më 2002 dhe 2006 dhe të Nigerisë në vitin 2010. Lagerback tha se prioriteti i tij do të ishte “rehabilitimi” në pak ditët që skuadra do të jetë së bashku përpara ndeshjes hapëse.

“Nuk mund të bësh shumë stërvitje. Mendoj se do të përfitojnë ekipet me trajnerë që e kanë organizuar ekipin për një kohë të gjatë dhe ku të gjithë dinë të luajnë. Nëse keni qenë me një ekip për të paktën një ose dy vjet, lojtarët kanë një ide dhe një filozofi se si duan të luajnë. Nuk mendoj se është shumë e rëndësishme të kesh apo jo një ndeshje miqësore”, insistoi Lagerback.

Disa vende thjesht nuk kanë kohë për një miqësore, me FIFA-n që thotë se përfaqësueset duhet të mbërrijnë në vendin organizator të paktën pesë ditë përpara ndeshjes së tyre të parë dhe nuk mund të organizojnë ndeshje përgatitore në atë kohë. Shtetet që fillojnë më vonë kanë një zgjedhje. Ndërsa kampionia në fuqi e botës, Franca, nuk ka planifikuar asnjë miqësore përpara se ta hapë turneun kundër Australisë më 22 nëntor, Argjentina –që luan ndeshje në grup atë ditë – ka planifikuar të luajë me Emiratet e Bashkuara Arabe në një ndeshje përgatitore të mërkurën. Spanja ka miqësore kundër Jordanisë të enjten, kur Portugalia ndeshet me Nigerinë. Uellsi është një nga skuadrat që nuk do të luajë miqësore dhe Strudwick nuk e sheh këtë si disavantazh.

“Ne mund të punojmë në palestër dhe të ndërtojmë ritmin e ndeshjes, ku mund të kontrollojmë se çfarë bëjnë lojtarët”, tha ai. “Nuk mund ta kesh atë kontroll në një miqësore. Dhe nëse do të aranzhonim një lojë miqësore, ndërkohë që do të kishim vetëm një javë përgatitje, do të thotë që do të humbisnim ditët e stërvitjes”.

Është e qartë se skuadrat, pavarësisht nëse luajnë miqësore apo jo, nuk ka gjasa të jenë në ritëm të plotë për ndeshjet e para, duke pasur parasysh grumbullimin e shkurtuar në krahasim me një kupë botërore tipike qershor-korrik. Kjo mund të shkojë në favor të përfaqësueseve të dobëta dhe ndoshta të çojë në disa tronditje në fillim të turneut.

Autori i futbollit, Jonathan Wilson, vuri në dukje se kishte vetëm nëntë gola në tetë ndeshjet e para në grup në Kupë të Afrikës këtë vit, pasi shumica e skuadrave u mblodhën vetëm një javë përpara fillimit të turneut.

“Shumë skuadra do të shkojnë në ndeshjen e tyre të parë duke menduar, 'Ne nuk jemi vërtet të përgatitur’ dhe kjo automatikisht do të thotë se janë nën presion”, Wilson.

Fillimisht trajnerët thjesht duhet të shpresojnë që lojtarët t'i kenë kaluar ndeshjet e fundit në klube të padëmtuar. Do të jenë momente nervoze.