Sport

Gana pa dy portierët më të mirë të saj në Botëror

JoJo Wollacott

Përfaqësuesja e Ganës duhej të linte jashtë skuadrës dy portierët e saj më të mirë për Kupën e Botës, pasi ata u lënduan përpara publikimit të listës finale të hënën.

Portieri i parë, Jojo Wollacott theu gishtin e tij gjatë ngrohjes përpara një ndeshjeje me klubin e tij anglez Charlton Athletic, ndërsa portieri i dytë, Richard Ofori ka një dëmtim në gju. Kjo do të thotë se Gana është detyruar të gërmojë thellë për të gjetur portierët për turneun e Katarit. Lawrence Ati-Zigi, i cili luan në Zvicër, ka të ngjarë të fillojë Kupën e Botës në portë.

Dy portierët e tjerë të përfshirë në ekip janë Abdul Manaf Nurudeen, i cili ka dy paraqitje dhe 19-vjeçari Ibrahim Danlad, i cili ende nuk ka luajtur për Ganën. Siç pritej, Gana zgjodhi mbrojtësin Tariq Lamptey, një ish-lojtar i të rinjve të Anglisë, dhe sulmuesin Inaki Williams, i cili ka një ndeshje për Spanjën. Vëllezërit Ayew, Andre dhe Jordan gjithashtu janë pjesë e skuadrës ashtu si mesfushori i Arsenalit, Thomas Partey. Jeffrey Schlupp dhe Joseph Paintsil kanë mbetur jashtë listës. Gana është një nga vetëm tri ekipet afrikane që kanë arritur në çerekfinale të Kupës së Botës, një sukses që e arriti në Afrikën e Jugut në vitin 2010, por në Katar nuk shkon me pretendime të mëdha. U eliminua në fazën e grupeve të Kupës së të Afrikës në fillim të vitit.

Kjo bëri që trajneri Milovan Rajevac të shkarkohej në janar dhe të zëvendësohej me Otto Addon. Lamptey dhe Williams janë në mesin e lojtarëve të rinj që janë prezantuar në ekip nga përzgjedhësi Addo. Gana luan me Portugalinë në ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës dhe gjithashtu do të përballet me Korenë e Jugut dhe Uruguain në Grupin H.