Sport

Ancelotti i del në mbrojtje Benzemas që nuk luajti shumë për Realin para Kupës së Botës

Trajneri Carlo Ancelotti mbrojti Karim Benzema nga akuzat se ai nuk po luan me Real Madridin për të qenë gati për Kupën e Botës, duke thënë të mërkurën se vetë sulmuesi francez është i mërzitur për mungesën e minutave në prag të turneut në Katar. 34-vjeçari Benzema, i cili është përballur me lodhjen e muskujve, do të humbasë ndeshjen e tij të gjashtë rresht kur Real Madridi do të presë Cadizin në kuadër të ligës spanjolle të enjten. Kjo do të jetë ndeshja e fundit e klubit para pushimit të Kupës së Botës. Ancelotti tha se ishte “marrëzi” që njerëzit të thoshin se Benzema po përpiqej të ruhej për Përfaqësuesen e Francës. Benzema nuk është përfshirë fare në ekip për ndeshjen që Reali e luan ndaj Cadizit.

“Është një sëmundje e vogël dhe Karim është përpjekur të shërohet prej saj”, tha trajneri i Real Madridit. “Ai është i pari që është i frustruar me situatën, pasi po hyn në Kupën e Botës pa minutat që do t'i duheshin për të qenë në gjendje më të mirë”.

Që kur fitoi “Topin e Artë” për lojtarin më të mirë të vitit tre javë më parë, Benzema humbi ndeshjet kundër Sevillas, Leipzigut, Gironas dhe Rayo Vallecanos. Ai luajti më pak se 30-të minuta pasi u inkuadrua nga banka e rezervistëve në fitoren 5:1 të Real Madridit ndaj Celticut në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve këtë muaj. Ndeshja e tij e fundit si titullar, ishte në fitoren 3:0 në Elche në ligën spanjolle më 19 tetor, kur ai shënoi golin e tij të fundit.

“E vetmja gjë që më shqetëson është se Karimi nuk ka qenë në gjendje të ndihmojë ekipin me cilësinë e tij”, tha Ancelotti.

Benzema do të rikthehet në Kupën e Botës pasi humbi turneun e vitit 2018 në Rusi. Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, e ka përfshirë Benzeman në listën e shpallur të mërkurën për Botërorin e Katarit, në të cilin do të përpiqet ta mbrojë titullin e fituar para katër vjetësh. Franca bën pjesë në Grupin D, ndërsa ndeshjen e parë në këtë fazë do ta luajë kundër Australisë më 22 nëntor. Në dy ndeshjet tjera, do të përballet edhe me Danimarkën (26 nëntor) e Tunizinë (30 nëntor). Ancelotti gjithashtu mbrojti edhe brazilianin Vinicius Junior nga akuzat se ai po provokonte shumë lojtarët tjerë në ndeshjet e fundit.

“Vini është lojtari që merr më shumë faulle”, tha Ancelotti për sulmuesin që do të jetë me Brazilin në Kupën e Botës.

Real Madridi duhet të mposhtë Cadizin e kërcënuar me rënie për të hyrë në pushimin e Kupës së Botës me tri pikë më pak se Barcelona që tani prin në La Liga. Real Madridi është kampion në fuqi si në ligën spanjolle, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.