Sport

Grupi G: Kameruni mbështetet te Songu në kërkim të magjisë së Botërorit 1990

Trajneri i Perfaqesueses se Kamerunit ne futboll Rigobert Song

Basti më i madh i Kamerunit për Kupën e Botës ishte që kampanjën ia besoi një prej lojtarëve të tij më të mëdhenj. Rigobert Song, ish-kapiteni shumë i respektuar, u emërua selektor në muajin shkurt, pavarësisht mungesës së përvojës, pos te të rinjtë e Kamerunit. Ai përballet me sfidën për të kaluar “Luanët e Paepur” përtej fazës së grupeve të një Botërori për herë të parë që kur Roger Milla dhe të tjerët arritën në çerekfinale në vitin 1990 dhe e vendosën futbollin afrikan në hartë. Song ia doli në misionin e tij të parë, kur Kameruni fitoi një plejof me dy ndeshje kundër Algjerisë në mars, për t'u kualifikuar në turneun e Katarit.

Humbjet e mëvonshme ndaj Uzbekistanit dhe Koresë së Jugut në përgatitjet e Kupës së Botës kanë siguruar një kthim në realitet dhe kanë ngritur pikëpyetje nëse presidenti i federatës Samuel Eto'o, ish-bashkëlojtar i Songut, ishte shumë i nxituar në zëvendësimin e Toni Conceiçaos. Trajneri portugez e udhëhoqi Kamerunin në vendin e tretë në Kupën e Afrikës së këtij viti dhe bëri një hap drejt shkuarjes në Katar.

Një Song i ri

Askush nuk dyshon për kontributin e madh të Songut në futbollin e Kamerunit. Ai luajti në katër Kupa Botërore, tetë Kupa Afrikane, fitoi dy tituj afrikanë dhe vendosi rekord kombëtar me 137 paraqitje. Por ai ende nuk ka fituar mbi të gjithë kamerunasit për rolin e ri. Rezymeja prej trajneri e Songut nuk është aq e pasur sa arritjet e tij si lojtar. Një skuadër me lojtarë të klubeve të vendit e Kamerunit, që ai e drejtoi në Kupën e Afrikës në vitin 2018, përfundoi e fundit në grup dhe u turpërua në humbjet ndaj Republikës së Kongos dhe Angolës. Ish-mbrojtësi 46-vjeçar i Liverpoolit drejtoi ekipin U-23 përpara promovimit. Por dyshimet për aftësinë e selektorit do ta shoqërojnë Kamerunin në Kupën e Botës, ku luan me Zvicrën, Serbinë dhe Brazilin në kuadër të Grupit G.

Lojtarët e motivuar

Forca sulmuese e Kamerunit është rritur nga vendimi i ish-lojtarit të Francës U21, Bryan Mbeumo për të luajtur për vendin e origjinës së babait të tij në nivelin senior. 23-vjeçari i Brentfordit ofron përvojë nga Premier League në sulm, së bashku me Vincent Aboubakar dhe Toko Ekambi, të cilët ishin një kombinim i mrekullueshëm në Kupën e Afrikës të këtij viti me 13 gola. Është edhe sulmuesi i Bayern Munichut, Eric Maxim Choupo-Moting.

Mesfushori defensiv Andre-Frank Zambo Anguissa është pa dyshim lojtari më i rëndësishëm i Kamerunit, por Song deri më tani nuk ka arritur të stabilizojë mbrojtjen që shquhet për pranim të golave të hershëm. Ai nuk ka arritur të bindë mbrojtësin e Liverpoolit, Joel Matip, që të kthehet në Përfaqësuese.

Fantazmat e vitit 1990

Skuadra e sulmuesit Milla, që mundi Argjentinën e Kolumbinë dhe gati sa nuk eliminoi edhe Anglinë në Kupën e Botës 1990 në Itali, theu barrierat për futbollin afrikan duke arritur në çerekfinale dhe gati në gjysmëfinale. Ajo skuadër është standardi i kërkuar nga secili ekip i Kamerunit që atëherë.

Të gjitha ekipet kanë qenë thuajse zhgënjim. Vendi i Afrikës Qendrore mund të dëshirojë një përsëritje të asaj ecurie magjike të 32 vjetëve më parë, por realiteti është se Kameruni ka fituar vetëm një ndeshje në Kupën e Botës që nga viti 1990, kundër Arabisë Saudite në vitin 2002. Kameruni humbi të tri ndeshjet e tij dhe kishte bilancin më të keq nga të gjitha 32 ekipet në Kupën e fundit të Botës që e luajti, në vitin 2014.