Borussia Dortmundi e pret Stuttgartin të shtunën nga ora 15:30, në kuadër të xhiros së 11-të të Bundesligës.
Trajneri Edin Terziq ka kërkuar nga ekipi i tij që të jetë më “i rritur” dhe ta gjejë “motivimin” e duhur për të mos lejuar një tjetër ngecje.
Pavarësisht fitores 2:0 të mërkurën në udhëtim te Hannoveri, nga ku Dortmundi siguroi rundin e ardhshëm të Kupës së Gjermanisë, Terziq është ankuar që skuadra nuk po mëson nga gabimet. Duket sikur po i mungon dëshira e nevojshme për të luftuar për titull.
Një disfatë ndaj Stuttgartit do të bënte që Dortmundi të mbetej gjashtë pikë prapa Bayern Munichut dhe 10 pikë prapa liderit Union Berlinit, kur ende është fillimi i kampionatit.
Në këtë periudhë të kampionatit, Dortmundi në sezonin që shkoi pati 24 pikë dhe goldallim +12, por tani është në vendin e tetë dhe ka vetëm 16 pikë. Goldallimin e ka -1.
Në mesjavë, Dortmundit iu desh hyrja në lojë e tinejxherit anglez që tashmë po vlerësohet yll, Jude Bellingham. 19-vjeçari ndaj Hannoverit fitoi penallti dhe e konvertoi në gol, vetëm 10 minuta pasi hyri në lojë.
Kundërshtari i Dortmundit, Stuttgarti, ka shënuar 10 gola dhe ka pranuar vetëm një në dy ndeshjet e fundit, qëkur shkarkoi trajnerin amerikan, Pellegrino Matarazzo.
Hoffenheimi që u eliminua nga Kupa e Gjermanisë do të ketë tjetër përballje të vështirë.
Do të takohet të shtunën nga ora 15:30 me Bayern Munichun, kampionin në fuqi të Bundesligës dhe skuadrën më të suksesshme gjermane.
Rrezik për Hoffenheimin pritet të jetë Eric Maxim Choupo-Moting, i cili ka shënuar tri gola në dy ndeshjet e fundit.
Për trajnerin e Bayernit, Julian Nagelsmann do të jetë ndeshje e veçantë. Ai si 28-vjeçar e kishte udhëhequr Hoffenheimin.
Bayerni është i dyti në tabelë me 19 pikë, katër më pak se lideri, Union Berlini.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.