Ka gjëra që mund të përmirësohen aktualisht në xhudon e Nora Gjakovës. Kjo është e natyrshme edhe për një xhudiste kulmore si kampionia olimpike, duke marrë për bazë mungesën e gjatë.
Nora, kampione nga “Tokio 2020”, është kthyer të premten në gara dhe menjëherë ka zënë vend në podium. Ajo u paraqit në Grand Slamin e Abu Dabit dhe u rendit e dyta në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Nora nuk kishte garuar që nga korriku i vitit të kaluar, kur edhe preku kulmin në kryeqendrën e Japonisë. Gjatë kësaj periudhe i ishte nënshtruar një operimi jo të lehtë në krah dhe faza e rikuperimit ishte më e gjatë.
Ndonëse ende jo në formën më të mirë, Nora rreshtoi katër fitore, duke përmirësuar paraqitjen nga lufta në luftë. Në finale u mposht nga një jug-koreane e re. Por kthimi i saj vlerësohet shumë i suksesshëm.
“Nora është kthyer shumë fort. Pas plot 15 muajve pauzë prej garave dhe pas operimit të komplikuar të krahut dhe rikuperimit të mundimshëm, ajo tregoi se edhe me 60-70 për qind të formës është në mesin e më të mirave. Mungesa e gjatë ka edhe ndikimin psikologjik, por Nora dëshmoi se vlen shumë duke arritur deri në finale”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ai nuk ishte në këndin e Norës të premten në Abu Dabi. Nga afër Norën e udhëhoqi Fatos Tabaku, trajner në ekipin e Toni Kukës.
“Në çdo luftë përgatitja fizike dhe lufta për gard ishte në nivel. Munguan sulmet të cilat vijnë përmes rutinës që ndërtohet në gara. Por Nora paralajmëroi se po vjen aty ku e ka vendin – në kreun e xhudos botërore”, ka shtuar Kuka.
Nora ishte bartësja e katërt në kategori. Në xhiron e parë e kaloi koreanen Yuna Shin. Ndaj saj fitoi në kohën shtesë. Shin pësoi tri dënime. Me holandezen Pleuni Cornelisse, Nora fitoi me mbërthim. Në çerekfinale e kaloi serben Marica Perishiq. Perishiq pësoi tri dënime dhe kështu Nora fitoi me Ippon.
Në gjysmëfinale përballë Norës ishte bartësja e parë, gjeorgjiania Eteri Liparteliani. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për uazari, ndërsa më pas e kontrolloi luftën deri në fund. Në finale, përballë Norës ishte Mimi Huh, e Koresë së Jugut. Finalja ishte e fortë, kurse koreania fitoi fare në fund me mbërthim.
Për Norën është medalja e katërt në garat e nivelit Grand Slam. Ka dy të arta.
“Nora Gjakova në dukje ishte po aq e fuqishme fizikisht dhe nuk dukej se i kanë munguar garat. Ndoshta gjëja më e dukshme ishte mungesa e instinktit vrasës. Por ajo përdori përvojën për të fituar luftën e parë. Ishte thjesht një përshtypje, pasi në luftën e dytë iu kthye paraqitjeve tradicionale, duke e kaluar holandezen Cornelisse me një ‘ne-waza’ të përsosur”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. IJF-ja ka shkruar tutje se ndaj bartëses së parë, Lipartelianit, Nora ishte dominante. Federata Botërore ka shkruar se pritja për Norën ia ka vlejtur.
Në Abu Dabi garojnë edhe Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Gjithsej po marrin pjesë 414 garuese nga 65 vende. Garat Grand Slam janë prej më të mëdhave në sportin e xhudos.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.