Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja kishte një porosi për futbollistët e tij para ndeshjes kundër Sivassporit. Ai në konferencën për media të mërkurën, tha se ekipi i tij duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë” dhe të angazhohet maksimalisht për ndeshjen e katërt të Ligës së Konferencës.
Ballkani të enjten zhvillon një prej ndeshjeve më të rëndësishme në rrugëtimin e tij në Ligën e Konferencës. Pas fitores së parë të arritur në Sivas javën e kaluar, të enjten Ballkani e pret Sivassporin turk në Prishtinë. Një fitore do të rriste gjasat për të kaluar në fazën nokaut të Ligës së Konferencës. Dueli i kthimit mes Ballkanit dhe Sivasporit, do të zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon xhiros së katërt të kësaj gare.
Fitorja ndaj Sivassporit e ngriti Ballkanin në krye të grupit G me katër pikë, sa i kanë edhe tre kundërshtarët tjerë. Daja beson që edhe mbështetja e madhe që do ta ketë Ballkani nga tribunat do t’i ndihmojë shumë për të arritur rezultat pozitiv ndaj Sivassporit. Ballkani gjatë ditës ka njoftuar se tashmë janë shitur të gjitha biletat për këtë ndeshje.
Ai tha se synimi i ekipit nga Suhareka është të vazhdojë me ritmin e njëjtë që e ka pasur deri më tani në garat e UEFA-s. Ai ka theksuar se ekipi është i motivuar për të arritur sukses.
“Ne do të mundohemi të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse kundërshtari është shumë i fortë. Nuk duhet të humbin përqendrimin gjatë tërë ndeshjes. Nëse e bëjmë këtë dhe qëndrojmë me këmbë në tokë, atëherë mendoj se mund të shkojmë tutje. Mendoj se sa më larg që jemi, aq më të vështira bëhen gjërat. Por sigurisht me mbështetjen e të gjithëve, besojmë se do të bëhet paksa më e lehtë ndeshja ndaj Sivassporit me mbushjen e stadiumit. Kjo do të thotë se përgjegjësia për ne është më e madhe. Të gjithë i kemi nga katër pikë dhe tregon se grupi aspak nuk është i lehtë. Mendojmë se jemi gati, por në ndeshjen e nesërme duhet të bëjmë akoma më shumë se në javën e shkuar për të arritur atë që duam”, ka thënë Daja, i cili shtoi se e ka parasysh se Sivasspori ka ardhur për t’iu revanshuar Ballkanit për humbjen që ia shkaktoi javën e shkuar.
“Ne po japim më të mirën sepse po fitojmë përvojë në këtë nivel. Presim se do të jetë ndeshje edhe më e vështirë se ajo në Sivas, pasi ata vijnë pas fitores që e kanë arritur në kampionat. Ata do të vijnë për t’u revanshuar dhe kanë përvojë më shumë se ne se bashku me kundërshtarët tjerë. Nëse duam të shkojmë atje ku duan të gjithë tifozët në Kosovë, duhet të luajmë edhe më fort, mos të dorëzohemi. Do të jetë shumë më e fortë se ndeshja e kaluar”.
Mungesa e vetme te Ballkani për këtë ndeshje, do të jetë ajo e kapitenit Edvin Kuç. Mesfushori është rikuperuar nga lëndimi që e ka mbajtur jashtë fushës për disa javë, por Daja nuk dëshiron ta rrezikojë. Në formacionin bazë pritet të kthehet mbrojtësi i krahut të majtë, Astrit Thaqi që mungoi në ndeshjen e shkuar për shkak të suspendimit.
“Edvin Kuç nuk do të jetë i gatshëm dhe nuk guxojmë ta sakrifikojmë pasi ka tri ditë që ka nisur stërvitjet i diferencuar. Do të jetë në bankinë. Kthimi i Astrit Thaqi në lojë dhe është një bonus i madh për ne. Pak a shumë i gjithë kontingjenti do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh Daja.
“Ekipi ka personalitet, lojtarë me karakter sportiv, kemi një frymë të mirë grupi dhe kjo ka bërë që Ballkani të jetë i barabartë me ekipet tjera që janë në grup dhe që janë dukshëm më të mëdha dhe me më përvojë se ne”.
Daja insistoi se Ballkani edhe në këtë ndeshje të rëndësishme, do të aplikojë lojë të hapur dhe sulmuese siç e ka bërë deri më tani. Ai pranoi se do të mund të kishte ndryshuar strategjinë, por koha e shkurtër për t’u bërë gati shkaku i orarit të ngjeshur të ndeshjeve, përfshirë edhe në Superligën e Kosovës, nuk po ia lejon të bëjë ndryshime në sistem.
“Do të vazhdojmë të mos jemi cinikë, por do të vazhdojmë me lojën që e kemi luajtur deri më tani dhe kjo është një garanci e mirë deri më tani pasi kemi rezultate të mira. Po ashtu, kemi edhe shumë pak ditë në dispozicion të përgatitemi dhe duhet të vazhdojmë me këtë strategji, sepse do të kishim me shumë ditë do të ndryshonim ndoshta. Por, ne do të vazhdojmë kështu”.
Përkrah trajnerit Daja, në konferencën për shtyp u paraqit edhe mesfushori Qëndrim Zyba. Ai ka thënë se synimi i kampionit të Kosovës në futboll, është ta fitojë edhe ndeshjen e dytë ndaj Sivassporit në kuadër të Ligës së Konferencës. Zyba pranoi se nuk do të jetë aspak e lehtë ndeshja e kthimit me ekipin nga Turqia, por shtoi se ka besim në ekipin. Gjithashtu, ka thënë se motivi te Ballkani do të jetë shumë i madh për ta fituar këtë përballje, sidomos për faktin se të gjitha biletat e ndeshjes tashmë janë shitur dhe stadiumi do të jetë i stërmbushur.
“Na pret një ndeshjen e vështirë dhe këtë e kemi parasysh. Sigurisht pas fitores javën e shkuar, synimi është të marrim një rezultat pozitiv edhe këtë herë. Shpresoj se do t’ia dalim mbanë me përkrahjen e madhe që do ta kemi për ta fituar këtë ndeshje të rëndësishme”, ka thënë Zyba.
“Është shumë e rëndësi që do të kemi përkrahje të madhe për këtë ndeshje, gjë që na motivon edhe më shumë dhe shpresoj t’i gëzojmë me fitore. E kemi parasysh se Sivasspori ka ardhur për pikë, por ne jemi gati dhe duhet të bëjmë një paraqitje edhe më të madhe se javën e shkuar”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.