Sport

Ylli i gatshëm për debutim në FIBA Europe Cup

GE Ylli basketboll - FIBA Europe Cup

Pas eliminimit në Ligën e Kampionëve, kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, është gati për debutim në FIBA Europe Cup. Suharekasit synojnë të startojë me këmbë të mbarë, përkatësisht me fitore.

Ylli për herë të parë po paraqitet në garat e FIBA-s. U eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Më t’u eliminuar nga Benfica në Portugali, Ylli shfrytëzoi të drejtën për t’u paraqitur në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, nivel më i ulët se Championsi, përkatësisht i katërti kontinental.

Në FIBA Europe Cup, Ylli do të paraqitet në Grupin A ndërsa në ndeshjen e parë do të përballet me ekipin nga Izraeli, Hapoel Nofar Galil Elion. Pjesë e këtij grupi janë edhe dy skuadrat nga Gjermania, Brose Bamberg e Niners Chemnitz që në xhiron e parë do të përballen mes vete.

Ylli ndeshjen kundër Hapoelit e luan të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Arsyeja që ekipi ka vendosur të luajë në Prizren është se palestra “13 Qershori” në Suharekë nuk i plotëson kriteret e kërkuar nga FIBA për ndeshje të kupave kontinentale.

Edhe pse luan në Prizren, Ylli pret përkrahje të madhe ndaj Hapoelit, kundërshtar që sipas fundorit Valon Bunjaku mund të mposhtet. Bunjaku thotë se ekipi nga Izraeli nuk është në nivelin e dy kundërshtarëve tjerë të grupit dhe për këtë arsye gjasat janë të mëdha që të debutojnë më fitore në FIBA Europe Cup. Yllit në këtë ndeshje pritet t’i kthehet edhe amerikani i natyralizuar, Malcom Armstead, që është rikuperuar nga lëndimi dhe deri më tani ka vetëm një paraqitje.

“Synimi është të startojmë me fitore, pasi është kundërshtari i grupit më i mundshëm që ta mposhtim. Megjithatë, nuk do të jetë aspak lehtë por jemi gati për të startuar në këtë garë me fitore. Synimi është të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të japim maksimumin nga vetja për fitore”, është shprehur Bunjaku. “Kemi gjasa për fitore dhe do të ishte mirë ta arrijmë pas startit jo të mirë që e kemi pasur këtë edicion. Jemi duke u komponuar si ekip dhe mendoj se mund ta përballojmë Hapoelin. Po ashtu, besoj se edhe përkrahja e madhe nga tifozët nuk do të mungojë”.

Skuadra e Yllit këtë edicion nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë. Në të gjitha garat që ka luajtur deri më tani, ka vetëm një fitore. Këtë fitore e arriti të dielën në Suharekë ndaj Vëllaznimit, në xhiron e pestë. Kishte seri prej katër humbjeve në kampionat. Po ashtu, humbje ka pësuar edhe në gjysmëfinale të Superkupës Mbarëkombëtare dhe ndeshjen kualifikuese të Championsit. Pra ka gjashtë fitore e një humbje deri më tani.

Hapoel Elion sezonin e shkuar triumfoi në Ligën Ballkanike (BIBL), ndërsa në kampionat u eliminua në serinë çerekfinale të plejofit. Ka një titull të fituar, në vitin 1993. Këtë edicion në kampionatin izraelit ka nisur me humbje duke u mposhtur nga Hapoel Galil Gilboa (117:115).

“Gati jemi për debutim në FIBA Europe Cup dhe po shpresojmë në fitore pasi kemi gjasa kundër izraelitëve. Natyrisht e kemi parasysh se ata nuk kanë ardhur për të humbur, por ekipi është përgatitur mirë dhe ka punuar shumë gjatë këtyre ditëve. Edhe Armsteadi pritet të luajë dhe jemi më të kompletuar për këtë ndeshje. Edhe sa i përket organizimit, mund të them se jemi gati, ndërsa presim edhe përkrahjen e tifozëve në këtë debutim. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën”, tha drejtori sportiv i Yllit, Egzon Fetiu.