Sport

Boban me vlerësime interesante për futbollin kosovar

Pasi bëri homazhe pranë shtatores së të ndjerit Fadil Vokrri pasditen e të mërkurës, Zvonimir Boban u nis drejt stadiumit që mban emrin e legjendës së futbollit kosovar. Nga salla e konferencës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shefi i futbollit të UEFA-s, tha se Kosova ka bërë hapa të mëdha në aspektin e infrastrukturës. Por, në fakt, Kosova ka vetëm një stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Pra, atë të qytetit të Prishtinës.

Legjenda kroate me të marrë fjalën, tha se qyteti i Prishtinës ka bërë progres në katër vjetët e fundit, qëkur ai ishte i pranishëm në varrimin e ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrrit. Lëvdata thuri edhe për punën e kryetarit Agim Ademi.

“Dua t’ju komplimentoj të gjithë juve, Agimin, për ndërtimin e gjithë kësaj infrastrukture të madhe të futbollit, që është nga Akademia deri te selia e Federatës po ashtu, kam mbetur i habitur. Po ashtu duhet t’i komplimentojmë të gjithë autoritetet, qytetin, njerëzit këtu. Po bëni shumë mirë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Duhet të përmendim po ashtu edhe turneun UEFA U17. Duhet ta përmendim po ashtu se nuk jemi këtu vetëm për çështje politike, por jemi këtu mbi të gjitha për të parë futboll, dhe të kënaqemi me futboll”.

Ai shkon edhe më tej. Thotë se Kosova është më mirë se Kroacia nga pikëpamja e infrastrukturës.

“Nga pikëpamja e infrastrukturës besoj se jeni më mirë se Kroacia sepse ne nuk e kemi Akademinë tonë, nuk kemi stadiumet. Tani jemi duke punuar fort në këtë drejtim. Nuk është gjithmonë e lehtë të krahasohet, është edhe jo elegante. Ndonjëherë mund të jetë e dhimbshme për dikë. Por ajo që shoh këtu është se procesi është i madh dhe Federata po bën punë të mirë. Shoh se Qeveria po ashtu dëshiron të ndihmojë qytetin e Prishtinës po ashtu. Besoj se për një kohë të shkurtër do të arrini më shumë. Nga pikëpamja e futbollit, keni njerëz të talentuar të futbollit. Keni futbollistë të mirë. Është çështje kohe, me gjithë ndjenjën patriotike, që është lojtari i 12-të siç e dimë, dhe ju jeni vend i ri dhe dini t’i vlerësoni vlerat e juaja”.

Bobani gëzon një karrierë të pasur futbollistike. Përkrah tij ishte edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Por, Boban nuk kuptoi asgjë nga Ademi. Ademi foli në gjuhën shqipe, ndërsa mungoi një përkthyes.

“emi folur rreth kyçjes së anëtarëve tonë atje në UEFA, do të thotë si delegatë të UEFA-s, edhe pse kemi edhe si referë por gjithsesi për infrastrukturën. Në infrastrukturë është shumë i interesuar që të na ndihmojë dhe të vazhdojmë të bjëmë. Në fakt e tha edhe vetë që nuk e ka pritur që kemi arritur dhe kemi shkuar kaq larg me infrastrukturë, por gjithsesi, prap neve na duhet infrastruktura, sidomos një stadium i cili është edhe imazh i shtetit por edhe për të luajtur të gjitha ekipet nacionale e sidomos edhe klubet. Është me idenë që në një stadium të luajnë edhe ekipi nacional edhe ekipet e tjera. Do të thotë është e rëndësishme për ne që ka ardhur për të na mundësuar dhe për të na organizuar se si ta ngrisim ligën sa ma shumë. Poenta kryesore ka qenë kjo. Infrastruktura dhe ta ngrisim ligën tonë sa më shumë, meqë liga jonë veç po shkon hapave lart. Dhe realisht këto kanë qenë temat të cilat i kemi biseduar. Janë ndarë shumë të kënaqur”, ka thënë Ademi.

Ademi nuk tregoi nëse UEFA ka në plan ta ndihmojë Kosovën me ndonjë projekt rreth infrastrukturës.

“Projektet konkrete janë në vazhdimësi e sipër. Do të thotë ato janë duke vazhduar, secili projekt. Dhe deri sot, për dijeninë tuaj dhe të gjithëve, sigurisht e dini që asnjë projekt që ne e kemi bërë, nuk na është refuzuar as nga UEFA e as nga FIFA dhe vazhdojnë të ecin projektet ashtu siç është paraparë me agjendën dhe me programet tona”.

53-vjeçari është pritur edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Nga kreu i FFK-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani dhe disa zyrtarë tjerë të shtetit, ditë më parë është pritur edhe presidenti i Shtëpisë së Futbollit Botëror (FIFA), Gianni Infantino.