Te Sivasspori janë të vendosur për ta shënuar fitoren e parë në shtëpi këtë edicion në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. E këtë fitore, ekipi i Superligës së Turqisë po e synon në përballjen kundër kampionit në fuqi të Kosovës, Ballkanit. Dueli mes Sivassporit dhe Ballkanit, zhvillohet të enjten në stadiumin “Yeni Sivas 4 Eylul Stadium” dhe nis në orën 18:45. Kjo ndeshje i takon xhiros së tretë të Grupit G të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave të UEFA-s. Sivasspori pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, zë vendin e dytë në grup me katër pikë të tubuara, sa i ka edhe Slavia e Pragës që është lidere për shkak të goldallimit më të mirë. Ballkani është i treti më një pikë, sa i ka edhe Cluji i Rumanisë. Për Sivassporin, kjo është ndeshja e dytë në këtë edicion të kësaj gare që e luan në shtëpi. Në të parën, barazoi 1:1 ndaj Slavias, kurse në xhiron e dytë, që u luajt para tri javësh e mposhti Clujin (1:0) në udhëtim. Kjo fitore ka motivuar ekipin e trajnerit Riza Çalimbay para duelit me Ballkanin. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, Çalimbay ka insistuar se fitorja ndaj Ballkanit është shumë e rëndësishme për ekipin e tij, pasi me këtë triumf do të bënte një hap para drejt kalimit të fazës grupore.
“Besoj se nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet evropiane që i luajmë në shtëpi, atëherë sipas të gjitha gjasave, do të avancojmë me sukses në raundin tjetër. Ndeshja ndaj Ballkanit mund të them se është më e rëndësishmja për ne, por gjithashtu edhe për kundërshtarin. Çdokush mund ta nënvlerësojë këtë ekip dhe të thotë se është më i dobëti në grup por nuk është kështu. Është kampion i vendit të tij dhe duhet të respektohet maksimalisht”, është shprehur Çalimbay, i cili zbuloi se ka dërguar ndihmësin e tij në Kosovë për t’i përcjellë nga afër ndeshjet e Ballkanit. “Ne e kemi analizuar shumë mirë Ballkanin dhe mund të them se bëhet fjalë për një ekip të fortë. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe aspak e lehtë. Ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje të rëndësishme”.
Po ashtu, trajneri Çalimbay ka insistuar se forma e dobët e ekipit në kampionatin turk nuk do të reflektohet edhe në ndeshjet e Ligës së Konferencës, gjë që është dëshmuar në dy xhirot e para. Sivasspori këtë edicion nuk di për fitore në elitën e futbollit turk, ku renditet në pozitën e 17 në tabelë me vetëm katër pikë të tubuara pas tetë ndeshjeve të luajtura. Ka regjistruar katër barazime e po aq humbje. Për duelin me Ballkanin, ai ka ftuar tifozët e klubit pasi ka thënë se kanë nevojë për mbështetjen e tyre.
“Forma jonë në kampionat dallon prej asaj në Evropë. Kjo ndeshje është si ndeshje kombëtare për ne. Çdo pikë dhe çdo fitore që e marrin në Ligën e Konferencës, është shumë e rëndësishme për futbollin e Turqisë. Ndeshja me Ballkanin është si finale për ne dhe pres mbështetjen e madhe të tifozëve, pasi kemi nevojë për këtë”, ka insistuar Çalimbay.
Po ashtu, mbështetjen e fuqishme të tifozëve vendas në duelin ndaj Ballkanit, e pret edhe mbrojtësi i Sivassporit, Dimtrios Goutas, i cili u paraqit në konferencën për shtyp përkrah trajnerit Çalimbay. Ai tha se Sivasspori do të luajë një futboll të mirë dhe do ta fitojë këtë ndeshje për t’i gëzuar tifozët.
Goutas vlerësoi lart Ballkanin, por shtoi se cilësia është në anën e Sivassporit që ka lojtarë me përvojë.
“Ballkani po luan një futboll të mirë dhe ka mentalitet, ndonëse përbëhet tërësisht nga lojtarë të rinj. E kemi të qartë se ata kanë ardhur për të luajtur futboll të mirë. Ne duhet të zbatojmë detyrat tona dhe të tregojmë futboll të mirë. Ne kemi emra me përvojë dhe cilësi në ekipin tonë, gjë që duhet ta dëshmojmë patjetër. Edhe kjo ndeshje është si finale për ne, të cilën duam ta fitojmë”, është shprehur Goutas. “Ne do të japim më të mirën për t’i gëzuar tifozët tanë. Nëse e fitojmë këtë ndeshje, motivin do ta kemi edhe më të madh për duelet e tjera që na presin, qoftë edhe në kampionat ku nuk po tregojmë formë të mirë. Me triumf ndaj Ballkanit do ta kthenim vetëbesimin”.