Basketbollisti amerikan, Dee Franklin nuk është më pjesë e Ponte Prizrenit. Ekipi nga Prizreni ka njoftuar të martën se ka ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme.
30-vjeçari iu bashkua Ponte Prizrenit muajin e shkuar pas përvojës që e pati në Islandë, ku ishte ndër lojtarët më të dalluar në ligë.
Franklin ishte pjesë e Pontes edhe para dy sezonesh, ndërsa këtë edicion ka regjistruar vetëm dy paraqitje në kampionat dhe ka luajtur me një mesatare 6.5 pikëve e 2.5 kërcimeve për ndeshje.
“Me marrëveshje të dyanshme KB PONTE PRIZRENI dhe basketbollisti amerikan Dee Franklin i kanë ndarë rrugët. Klubi falënderon lojtarin për angazhim dhe i dëshiron sukses në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftimin e Ponte Prizrenit. Pas katër xhirove të zhvilluara deri më tani në Superligë, Ponte Prizreni ka dy fitore e dy humbje.