Sport

Sejdiu vazhdon kontratën me Malmon

Patriot Sejdiu ka nënshkruar kontratë të re me klubin e Malmos deri në vitin 2027. Ish-sulmuesi i Shpresave të Kosovës, pjesë e Malmos është që prej fundit të vitit 2020. Me Malmon ripërtëriu kontratën që e kishte deri në vitin 2024.

Për shkak të paraqitjeve të mira, Sejdiut iu vazhdua kontrata deri në vitin 2027. Sulmuesi i krahut është ndarë i kënaqur që klubi ia besoi zgjatjen e kontratës.

“Ndihem mirë. Nuk mund të prisja më shumë nga ky sezon. Kam luajtur shumë, kam shënuar gola dhe kam fituar besimin e klubit. Tani ndihem mirë që Malmo më ofroi kontratë afatgjate. Malmo është klubi i vetëm në Suedi për të cilin dua të luaj”, ka thënë Sejdiu të hënën për faqen e klubit suedez.

Sejdiu, që në të kaluarën ka luajtur për Përfaqësuesen U20 të Suedisë, edicionin aktual në 14 ndeshje ka shënuar katër gola. Drejtori sportiv Andreas Georgson ka thënë se presin shumë nga Sejdiu. “Patrioti është rikthyer mirë pas lëndimit të rëndë dhe ka treguar se mund të na ndihmojë të fitojmë ndeshjet. Me vazhdimësi në stërvitje dhe ndeshje, besojmë se do të zhvillohet edhe më shumë, andaj është kënaqësi që së bashku kemi rënë dakord për një kontratë më të gjatë”, është shprehur Georgson. Sejdiu është shprehur i gatshëm të luajë në të ardhmen për Kosovën.