Sport

Mosefikasiteti i Manes, shqetësim për Bayernin

Te Bayern Muencheni po shpresojnë që pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare t’u kthehen fitoreve. Skuadra bavareze është futur në një krizë të rezultateve dhe aktualisht zë vendin e pestë në Bundesligë, pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara deri më tani.

Bayerni e pret Bayer Leverkusenin të premten mbrëma. Bayerni është pa fitore që nga mesi i muajit gusht, një pozicion i panjohur për një klub që po lufton për titullin e njëmbëdhjetë rresht.

Bayerni nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit kampionale. Vështirësitë e Bayernit janë pasqyruar edhe me formën e dobët të sulmuesit Sadio Mane, transferimit të madh të verës që erdhi nga Liverpooli. Mane nuk ka shënuar gol në pesë ndeshjet e fundit, ndonëse starti i tij te skuadra gjermane ishte premtues, me pesë gola në gjashtë paraqitjet e para.

Drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq, e ka përkrahur senegalezin Mane dhe insiston se sulmuesit i duhet edhe pak kohë për t’u përshtatur plotësisht në kampionatin gjerman.

“E di si është kur një lojtar i ri i bashkohet një ekipi në një ligë tjetër, në një qytet tjetër dhe në një kulturë tjetër të futbollit”, thotë Salihamixhiq, i cili ishte larguar në moshën 15-vjeçare nga Bosnjë- Hercegovina për të luajtur me Hamburgun. “Sadio është duke kaluar në këtë proces dhe për këtë arsye nuk shqetësohem për faktin se nuk ka shënuar në ndeshjet e fundit. Unë besoj se ai shumë shpejt do të adaptohet dhe do të tregojë vlerat e tij në fushë duke e udhëhequr Bayernin drejt suksesit”.

Edhe presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, ka pranuar se është i shqetësuar me formën e ekipit kohët e fundit. Megjithatë, ai ka insistuar se ndaj Leverkusenit të gjithë do të shohin një Bayern krejtësisht tjetër dhe të etur për fitore.

“Mendoj se ka ardhur koha për të shkelur gazin duke filluar nga ndeshja me Leverkusenin”, u shpreh ai.

Përkundër formës së dobët të ekipit, Salihamixhiq ka thënë se trajneri Julian Nagelsmann nuk ka fare presion. Ai insiston se pozita e trajnerit është e sigurt duke mohuar spekulimet se klubi po synon angazhimin e Thomas Tuchelit, i cili është i papunë pasi u largua javë më parë nga Chelsea.

“Jemi vetëm pesë pikë prapa Union Berlinit që është lider dhe për këtë arsye nuk ka nevojë që trajneri të ndihet në presion. Mendoj se ai e ka shfrytëzuar këtë pushim për të gjetur mënyrën që t’u kthehet fitoreve”, ka thënë Salihamixhiq.

Edhe trajneri Nagelsmann është optimist përpara orarit të ngjeshur të ndeshjeve që ekipi i tij i ka në kampionat dhe Ligën e Kampionëve. Seria e Bayernit prej katër ndeshjeve pa fitore në Bundesligë, ku ka regjistruar tri barazime dhe një humbje, është më e gjata për më shumë se dy dekada.

“Pushimi ka qenë i nevojshëm pasi jam angazhuar shumë për të gjetur mënyrën se si t’i japim fund kësaj serie duke filluar prej ndeshjes së radhës”, është shprehur Nagelsmann.