Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se pjesa e dytë e Dritës ishte shumë më e mirë, por skuadrës së tij i mungoi vetëm realizimi i golit.
Megjithatë, tekniku shkupjan theksoi se Prishtina kreu detyrën me sukses në pjesën e parë, duke thënë se e kishte analizuar mirë Dritën.
Prishtina dhe Drita në ndeshjen e mbetur të xhiros së tretë barazuan pa gola.
“Realisht në pjesën e parë nuk arritëm të dilnim në lojën tonë. Prishtina na ka analizuar dhe nuk na la të krijojmë asgjë. Në pjesën e dytë pamë një ndeshje shumë të mirë, me shumë raste. Kishim më shumë se Prishtina realisht, por nuk arritëm të realizonim gol. Tani duhet të fokusohemi në ndeshjen e radhës”, tha fillimisht Nuhiu.
“Gjatë gjithë ndeshjes, edhe në pjesën e parë, u thosha futbollistëve të dalim te loja jonë. Ishim në ecuri të mirë të rezultateve. Por, kundërshtari nuk na la të dilnim te loja jonë. Në pjesën e dytë patëm qarkullim më të madh të topit. Mungoi realizimi për të shkuar te goli”, u shpreh Nuhiu, duke përfunduar se ndryshimi i fushës, nga ajo sintetike në fushë me bar natyral, ua vështirëson punën lojtarëve.