3 perditesime
14:57

Ballkani fiton ndeshjen e mbetur ndaj Malishevës

Skuadra e Ballkanit ka fituar ndeshjen e mbetur ndaj Malishevës, e cila i takonte xhiros së parë në Superligën e Kosovës në futboll. Në duelin e luajtur të mërkurën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, Ballkani triumfoi me rezultatin 3:2 edhe pse ishte në disavantazh.

Ermal Krasniqi (44’, 57’) dhe Meriton Korenica (74’) shënuan golat për fitoren e Ballkanit.

Ndërkohë, golat për Malishevën i shënuan Agon Xhaka (1’) dhe Behar Maliqi (94’).

Për Ballkanin, kjo është fitorja e pestë në gjashtë ndeshje të luajtura këtë edicion, ku ka regjistruar edhe një humbje. Ngjitet në pozitën e dytë në tabelë me 15 pikë, tetë më shumë se Malisheva që renditet e teta.

14:21

Krasniqi sërish, Ballkani në epërsi

Skuadra e Ballkanit ka kaluar për herë të parë në epërsi ndaj Malishevës.

Ermal Krasniqi ka shënuar golin e dytë personal për rezultatin 2:1 të ndeshjes që po luhet në Malishevë.

Ai shënoi në minutën e 57-të pas asistimit të Albion Rrahmanit. 

13:51

Baras pas pjesës së parë në Malishevë

Skuadra e Ballkanit ka arritur të shënojë golin e barazimit ndaj Malishevës në fund të pjesës së parë. Kështu që, pas 45 minutave lojë në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, rezultati është 1:1.

Futbollistët e Ballkanit barazuan shifrat në minutën e 44-të. Shënoi Ermal Krasniqi nga afërsia pas asistimit të Armend Thaqit nga krahu i djathtë.

Ballkani ishte në disavantazh prej minutës së parë, kur Malisheva shënoi golin e epërsisë me Agon Xhakën pas gabimit të portierit Stivi Frashëri në këtë ndeshje të mbetur të xhiros së parë të Superligës.

13:13

Malisheva zhbllokon rezultatin ndaj Ballkanit

Skuadra e Malishevës ka kaluar në epërsi ndaj Ballkanit me të filluar ndeshja. Malisheva ka zhbllokuar rezultatin në minutën e parë të ndeshjes.

Ishte mbrojtës Agon Xhaka që shënoi gol pas gabimit të portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri. Frashëri nuk reagoi si duhet pas gjuajtjes me kokë të Behar Maliqit dhe Xhaka përfitoi nga topi i kthyer për të shënuar gol nga afërsia.

Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë dhe është ndeshje e mbetur e xhiros së parë të Superligës së Kosovës në futboll.