Fitorja ndaj Greqisë e ka motivuar shumë Përfaqësuesen e Qipros para duelit me Kosovën. Këtë e ka pranuar edhe përzgjedhësi i qipriotëve, Temur Ketsbaia.
Të shtunën Qiproja e mposhti në shtëpi Greqinë me rezultatin 1:0. Qiproja ia ka shkaktuar Greqisë humbjen e parë në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për shtyp të hënën mbrëma Ketsbaia insistoi se ka besim në ekipin e tij, i cili do ta japë maksimumin për ta fituar ndeshjen në Prishtinë. Ai shtoi se vendi i dytë në grup është i hapur dhe se synimi është që edicionin e tretë të Ligës së Kombeve ta përfundojë në këtë pozitë.
Qiproja është e fundit në grup me pesë pikë, sa i ka edhe Irlanda e Veriut që është e treta falë goldallimit më të mirë. Kosova është e dyta me gjashtë pikë, ndërsa Greqia është konfirmuar fituese e grupit me 12 pikë të mbledhura.
Dueli mes Kosovës dhe Qipros zhvillohet të martën prej orës 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon Grupit 2 të Ligës C.
Ketsbaia ka pranuar se dueli në Prishtinë është i rëndësishëm për dy përfaqësueset, por shpreson që në fund të ndeshjes të festojë me lojtarët e tij.
“Është ndeshje e rëndësishme për të dy ekipet, e sidomos për ne pas fitores që e arritëm në shtëpi kundër Greqisë. Kështu që ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ndeshjen me Kosovën që është e fundit dhe shpresoj të paraqitemi sa më mirë”, është shprehur Ketsbaia, duke insistuar se dëshiron ta shmangë vendin e fundit në grup. Vendi i fundit dërgon në plejaut, ku tashmë janë Bjellorusia, Gjibraltari dhe Lituania. Dy prej katër përfaqësueseve të plejautit do të bien në Ligën D.
“E kemi mundësinë të fitojmë pasi jemi të motivuar për të triumfuar ndaj Greqisë. Vendi i dytë në grup është i paqartë dhe secila përfaqësuese, përveç Greqisë, mund të përfundojë e dyta apo e fundit. Ne duam ta shmangim plejofin, pra të mos përfundojmë të fundit. Besoj në ekipin tim dhe do të bëjmë të pamundurën për ta fituar këtë ndeshje”, thotë Ketsbaia, që debutoi ndaj Greqisë.
Ketsbaia ka vlerësuar lart Kosovën, por ka insistuar se edhe Qiproja ka ekip të mirë dhe mund t’u bëjë ballë “Dardanëve”.
“Kemi fituar ndaj Greqisë që është në krye të grupit dhe përfaqësuesja më e fortë. Ne mund të përfundojmë edhe në vendin e katërt, por synimi është të dalim të dytit. Kosova ka ekip të mirë, me lojtarë cilësorë. Por, mos të harrojmë që edhe ne kemi ekip të mirë dhe besoj se këtë do ta dëshmojmë në këtë ndeshje”, ka thënë Ketsbaia.
Në ndeshjen e parë, në qershor, Qiproja kishte pësuar në shtëpi nga Kosova me rezultatin 2:0. Një humbje Qipros ia ka shkaktuar edhe Greqia, ndërsa në dy ndeshjet me Irlandën e Veriut ka barazuar. Irlanda e Veriut do të jetë mysafire e Greqisë.
Mesfushori i Qipros, Kostakis Artymatas, ka thënë se kanë ardhur në Prishtinë me një qëllim të qartë, ta fitojnë ndeshjen. Ai ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, por ka insistuar se të gjithë janë maksimalisht të motivuar.
“Ne jemi optimistë se do ta evitojmë pozitën e fundit në grup. Kemi ardhur këtu me qëllimin për të vazhduar formën e mirë që e treguam ditë më parë ndaj Greqisë. Kështu që duam të fitojmë me angazhim maksimal dhe të përfundojmë në pozitën e dytë, pasi gjithçka është e hapur në tabelë”, është shprehur Artymatas. “Jemi optimistë se mund të marrim një rezultat pozitiv dhe të gjithë besojmë në cilësitë e ekipit”.