Sport

Ndeshje tjera shumë të vështira për Yllin në Evropë

Kampioni në fuqi i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, ka vetëm humbje në edicionin aktual, 2022/2023. Ylli i Suharekës i ka humbur tri ndeshje në Superligë, ndërsa është ndalur edhe në nismë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve.

Por Ylli ka shfrytëzuar të drejtën që garimin evropian ta vazhdojë në FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët se Champions League. Jo të gjitha skuadrat e shfrytëzuan këtë të drejtë, por Ylli vendosi që të mbetet në garat kontinentale, përkatësisht në nivelin e katërt të garave për klube.

Golden Eagle Yllin e presin edhe gjashtë ndeshje në kuadër të fazës grupore të FIBA Europe Cup. Dhe secila ndeshje është më e vështirë se tjetra. Secila fitore e Yllit në grupin A të FIBA Europe Cup do të mund të vlerësohet sukses i madh.

Ylli do të garojë në grupin A të FIBA Europe Cup. Në këtë grup janë dy skuadrat gjermane, Brose Bamberg e Niners Chemnitz dhe skuadra izraelite Hapoel Galil Elion.

Ndeshjen e parë në FIBA Europe Cup, Ylli e luan menjëherë më 12 tetor. E pret skuadrën izraelite Hapoel Galil Elion. Më 19 tetor kampioni i Kosovës luan në udhëtim ndaj skuadrës gjermane, Niners Chemnitz. Më 26 tetor prapë luan në Gjermani ndaj skuadrës Brose Bamberg. Ndeshjet e tjera i ka më 2 nëntor, 23 nëntor e 30 nëntor.

Dy të parët në grup avancojnë në raundin e dytë.

Janë plot 15 skuadra që kanë kaluar në FIBA Europe Cup nga raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Pos Yllit në FIBA Europe Cup janë bartur edhe Brose Bamberg (Gjermani), Budivelnyk (Ukrainë), CSO Voluntari (Rumani), Egis Kormend (Hungari), Fribourg Olympics (Zvicër), Heroes Den Bosch (Holandë), Karhu Kauhajoki (Finlandë), Keravnos (Qipro), Niners Chemnitz (Gjermani), Norrkoping (Suedi), Opava (Çeki), Parnu Sadam (Estoni), Patrioti Levice (Sllovaki), Swans Gmunden (Austri).

Në fazën grupore kërkojnë të kalojnë edhe Trepça e Sigal Prishtina, që këtë javë paraqiten në eliminatore të FIBA Europe Cup.

Pasi jo të gjitha skuadrat e eliminuara nga Championsi e shfrytëzuan të drejtën e garimit në FIBA Europe Cup, në fazën grupore kalojnë fituesit e katër turneve kualifikues dhe tre prej katër finalistëve. Është dashur që të kalonin vetëm fituesit e grupeve kualifikuese.

Ylli më 21 shtator pësoi 92:67 nga Benfica në Lisbonë të Portugalisë. Benfica edhe e ka fituar grupin C të kualifikimeve dhe ka bërë vend në fazën grupore të Championsit. E kishte kaluar edhe Keravnosin qipriot në gjysmëfinale dhe Brose Bambergun gjerman në finale.

“Grupi shihet i vështirë për kampionët e Kosovës, por që duan të bëjnë paraqitje në arenën ndërkombëtare”, ka komentuar FBK-ja për grupin e Yllit në FIBA Europe Cup.

Ylli ka fituar dy titujt e fundit të kampionit të Kosovës. Janë titujt e parë në histori të këtij klubi.